FUNDJAVAT MBIPOPULLOJNË PLAZHET/ Metaj: Zgjidhni plazhe me vrojtues dhe respektoni sinjalistikën
Me rritjen e fluksit të pushuesve, veçanërisht gjatë fundjavave, autoritetet dhe ekspertët e sigurisë në plazhe bëjnë apel për kujdes të shtuar, si nga pushuesit, ashtu edhe nga vrojtuesit e plazhit.
Sekretarja e Përgjithshme e Federatës Shqiptare të Vrojtuesve të Plazhit dhe Shpëtimit në Ujë, Eni Metaj, në një intervistë për Ora News, thotë se fundjavat shoqërohen me mbipopullim të plazheve, veçanërisht në zonën e Adriatikut, ku për shkak të rrymave detare regjistrohen më shumë situata me rrezik.
Metaj u bën thirrje të gjithë vrojtuesve të plazhit të jenë maksimalisht të vëmendshëm dhe vigjilentë gjatë shërbimit, për të parandaluar çdo incident të mundshëm.
Ndërkohë, ajo këshillon pushuesit të zgjedhin vetëm plazhe publike ose private që ofrojnë masa sigurie, si prania e vrojtuesve të plazhit dhe sinjalistika përkatëse.
Sipas saj, respektimi i udhëzimeve të vrojtuesve është thelbësor për të shmangur rreziqet.
Metaj kërkon gjithashtu kujdes të shtuar ndaj fëmijëve, të cilët nuk duhet të lihen në asnjë moment pa mbikëqyrje pranë ujit.
Ekspertja shprehet se siguria duhet të jetë prioritet për çdo pushues, në mënyrë që sezoni turistik të zhvillohet pa incidente dhe me sa më pak raste emergjente.


