EMRI/ Arsenal lufte në Fier, 38-vjeçari përfundon në gjyq: 12 armë, qindra fishekë dhe silenciatorë në banesë

Prokuroria e Fierit ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim 38-vjeçarin Milasim Ramaj, i cili akuzohet për mbajtje pa leje të armëve dhe municionit, pasi gjatë kontrolleve ndaj tij u zbulua një arsenal armësh.
Sipas Prokurorisë, Ramaj akuzohet për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, parashikuar nga neni 278, paragrafi 6 i Kodit Penal.
Nga hetimet e zhvilluara në kuadër të procedimit penal nr. 1586 të vitit 2025, rezultoi se 38-vjeçari, gjatë kohës që drejtonte automjetin e tij, mbante një armë zjarri tip pistoletë dhe 50 fishekë.
Kontrollet e mëtejshme në ambiente të përdorura prej tij çuan në sekuestrimin e 12 armëve të tjera zjarri, mes të cilave 10 automatikë model 56, një armë automatike tip “Skorpion” dhe një pistoletë. Sipas ekspertizës teknike-balistikës, të gjitha armët rezultuan funksionale dhe të afta për qitje.
Gjithashtu, autoritetet sekuestruan 465 fishekë luftarakë të kalibrave të ndryshëm, 14 krehëra për armë zjarri dhe dy pajisje për zbutjen e zhurmës së armëve, të njohura si silenciatorë.
Prokuroria bën me dije se hetimet kanë evidentuar edhe dyshime se një pjesë e armëve mund të mbahej me qëllim shitjen e paligjshme. Për këtë pjesë të dyshimeve po vijon një procedim penal i ndarë.
Çështja tashmë i është kaluar gjykatës për shqyrtim.


