"E hapën fëmijët duke luajtur", policia gjen dëmtuesit e derës së KZAZ-së në Kavajë
Policia e Kavajës ka sqaruar ngjarjen e një dite më parë të dëmtimit të derës hyrëse të KZAZ Nr. 42, në shkollën "26 Marsi", aktualisht jashtë funksionit.
Nga veprimet hetimore ka rezultuar se dera është hapur me forcë nga disa shtetas të mitur, të moshave 9, 10 dhe 13 vjeç.
Të miturit janë intervistuar në prani të prindërve, psikologut, avokatit, punonjësve sociale të bashkisë Kavajë dhe kanë treguar se gjatë kohës që kanë qenë duke luajtur me njëri-tjetrin, kanë hyrë në ambientet e shkollës së mesme “26 Marsi”, në katin e parë, ku është edhe KZAZ Nr. 42.