Dyshohet se furnizonte grupet kriminale/ Policia zbulon arsenalin me a*më në Manzë, arrestohet 20-vjeçari
Një bazë me armë zjarri dhe municion luftarak është zbuluar në Manzë të Durrësit, ndërsa një 20-vjeçar ka përfunduar në pranga. Policia dyshon se arsenali mund të ketë shërbyer për furnizimin e grupeve kriminale.
Operacioni policor i koduar “Baza” u finalizua nga shërbimet e Stacionit të Policisë Manzë, në bashkëpunim me strukturat operacionale të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, pas informacioneve të siguruara në rrugë operative.
Gjatë kontrollit në banesën e shtetasit E. P., 20 vjeç, banues në Manzë, u gjetën dhe u sekuestruan si prova materiale 4 pistoleta, një armë automatike model 56 (kallashnikov), një armë gjahu, 6 krehëra dhe qindra fishekë luftarakë të kalibrave të ndryshëm.
Në banesë u gjetën gjithashtu një targë automjeti italiane dhe një aparat celular, të cilat janë sekuestruar në kuadër të hetimeve.
Pas përfundimit të veprimeve procedurale, 20-vjeçari u arrestua në flagrancë dhe ndaj tij rëndojnë akuzat për prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve, armëve shpërthyese dhe municionit, si dhe prodhim e mbajtje pa leje të armëve të gjuetisë dhe sportive.
Armët e sekuestruara do t’i nënshtrohen ekspertimit në Institutin e Policisë Shkencore për të verifikuar nëse janë përdorur në ngjarje kriminale të mëparshme.
Policia vijon hetimet për identifikimin e personave të tjerë që mund të jenë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Durrësit për veprime të mëtejshme.


