Dy muaj në këmbë drejt Francës/ Emigrantët afrikan strehohen në një shpellë në malin e Taraboshit

Në malin e Taraboshit në Shkodër, një grup të rinjsh emigrantë kanë gjetur strehim në një shpellë, ku po kalojnë ditët dhe netët e fundit.
Ata janë nga vende të ndryshme të Afrikës, si Sudani, Somalia dhe Eritrea, dhe prej rreth dy muajsh janë në rrugë, duke udhëtuar kryesisht në këmbë.
Rruga e tyre ka qenë e gjatë dhe e rrezikshme. Nga Sudani kanë kaluar në Libi, më pas me varkë drejt Greqisë, për të vazhduar më tej në Shqipëri dhe Mal të Zi.
Por përpjekja për të kaluar kufirin nuk ka funksionuar. Ata janë kapur nga policia malazeze dhe janë kthyer sërish në territorin shqiptar.
Pa asnjë mundësi tjetër, prej dy netësh po flenë në një shpellë në Tarabosh. Tregojnë se janë mësuar me kushte të vështira, pasi prej javësh flenë jashtë, në rrugë.
I ftohti dhe mungesa e kushteve nuk i ka ndalur, pasi qëllimi i tyre mbetet i njëjtë: të arrijnë në Francë.
Disa prej tyre kanë lënë pas histori të rënda. Njëri prej të rinjve thotë se në Sudan nuk ka më familje, pasi është vrarë gjatë luftës. Të tjerë flasin për të njëjtën situatë, duke e përshkruar vendin e tyre si të mbërthyer nga konflikti dhe pasiguria.
Pavarësisht vështirësive dhe rreziqeve, ata janë të vendosur të vazhdojnë rrugën. Shqipëria mbetet një ndalesë e përkohshme për ta, një pikë kalimi në përpjekjen për të hyrë në vendet e Bashkimit Europian.


