“Dora ime mbetet e shtrirë”, Basha: Një mesazh për të gjithë ata që panë të arsyeshme të luftojnë kundër PD dhe jo kundër Ramës
Pas marrjes së mandatit të tretë në krye të PD, Lulzim Basha ka treguar se ruan marrëdhënie të mira me ish kryeministrin Sali Berisha. Në kuvendin Kombëtar takimi mes tyre duket se flet shumë.
Përballë 5703 delegatëve që votojnë drejtuesit e rinj të selisë blu Basha u shtriu dorën e bashkëpunimit kundërshtarëve brenda selisë blu, por po ashtu paralajmëroi se nuk lejon shkeljen e vijës së kuqe.
"Sot gjithashtu kam një thirrje për të gjithë ata që e kuptojë rrezikun që ky regjim përbën për demokracinë dhe ndër vite kanë kontribuar për PD-në.
Kjo është dhe mbetet shtëpia juaj. Kam edhe një mesazh për të gjithë ata, që për një motiv apo për një tjetër kanë parë të arsyeshme të luftojnë më shumë kundër Partisë Demokratike se sa kundër Ramës: Dora ime do të mbetet përherë e shtrirë nëse doni t’i bashkoheni aksionit tonë, dhe t’i ktheheni vlerave tona, por kurrë më nuk do të kthej faqen tjetër ndaj gjithë atyre që sakrificat e demokratëve i shpërdorojnë për inate personale apo përfitime të përkohshme," tha Basha.
Në parlamentin e ri duket se opozita do të ketë në qendër të vëmendjes ekonominë, por po ashtu dhe denoncimin e rasteve korruptive. E sërish Basha akuzoi qeverinë Rama.
"Misioni i PD-së është t'ua kthejë qytetarëve kontrollin mbi shtetin e tyre, t'u kthejë shumicës së shqiptarëve të drejtën për të jetuar një jetë të lirë dhe të plotë për të realizuar aspiratat e tyre këtu pranë familjes së tyre, larg trysninë së një pushteti që ka depërtuar dhunshëm në çdo qelizë të shoqërisë, një shteti që merr gjithçka dhe nuk jep asgjë," tha Basha.
Sipas Bashës me buxhetin e shtetit është bërë masakër, teksa arrestimet e fundit i ka quajtur të paralajmëruara.
"Regjimi Rama-Doshi ka punuar për të penguar me çdo mjet ndryshimin që shqiptarët kërkonin. Kapja e shtetit ka plagosur rëndë sistemin politik, ka shkatërruar ekonominë, ka dëmtuar rëndë shoqërinë. Kjo është arsyeja pse njerëzit janë kaq të dëshpëruar për gjendjen e vendit tonë. Shqiptarët e dinë që nuk mund të jenë të lirë në një shtet të kapur," shtoi Basha.
Ndërkohë në sallën e Pallatit të Kongreseve ra në sy dhe mungesa e kreut të Këshillit Kombëtar të PD-së, Bujar Nishani, i cili nuk i ka kursyer kritikat ndaj Bashës për humbjen e zgjedhjeve të 25 prillit.

