Dita e Ashures/ Baba Mondi: Të mbështesim njëri-tjetrin dhe të ruajmë vlerat e familjes e të besimit
Besimtarët bektashinj kremtuan këtë të premte Ditën e Ashures në Kryegjyshatën Botërore Bektashiane, duke zhvilluar lutje për paqe, mirësi dhe ndaljen e konflikteve në botë.
Kjo është një nga ditët më të rëndësishme të kalendarit shpirtëror të bektashinjve, që përkujton sakrificën, reflektimin dhe vlerat e besimit.
Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, Haxhi Dede Edmond Brahimaj-Baba Mondi, në mesazhin e tij vuri theksin te rëndësia e solidaritetit dhe e veprave të mira, veçanërisht në një kohë kur bota po përballet me konflikte dhe sfida të shumta.
"Le të mbështesim njëri-tjetrin dhe të ruajmë vlerat e familjes dhe të besimit.
Lutjet tona shkojnë për të gjithë ata që vuajnë nga luftërat. Sot njerëzimi ka nevojë për më shumë paqe dhe dhembshuri. Zoti i ndriçoftë zemrat me urtësi dhe e forcoftë frymën e vëllazërisë mes kombeve.
Zoti na bekoftë të gjithëve. Amin"
Sipas kalendarit bektashian, Dita e Ashures vjen pas dhjetë ditëve të Matemit, periudhë zie dhe reflektimi që përkujton Imam Hysenin dhe 72 dëshmorët e rënë në Betejën e Qerbelasë.
Për besimtarët bektashinj, kjo ditë simbolizon sakrificën për lirinë, drejtësinë dhe përpjekjen për ndërtimin e një shoqërie më të drejtë, më të emancipuar dhe më solidarizuese.

