KONTROLL MBI TRASHËGIMINË/ Izraeli kërkon administrim të vendeve antike në Bregun Perëndimor

Një projektligj izraelit që synon të vendosë nën kontrollin civil të Izraelit vendet e lashta në Bregun Perëndimor ka shkaktuar reagime të forta palestineze dhe ndërkombëtare. Kritikët thonë se masa përbën një hap drejt aneksimit të territoreve të pushtuara dhe zgjerimit të kolonive hebraike.

KONTROLL MBI TRASHËGIMINË/ Izraeli kërkon administrim të

Parlamenti izraelit ka miratuar në një nga tre votimet një projektligj që krijon të ashtuquajturën “Autoriteti i Trashëgimisë në Jude dhe Samari”, duke transferuar administrimin e disa siteve arkeologjike në Bregun Perëndimor nën Ministrinë izraelite të Trashëgimisë.

Sipas kritikëve palestinezë, ky ndryshim do t’i heqë Autoritetit Palestinez një pjesë të rolit që kishte në menaxhimin e këtyre zonave, sipas marrëveshjeve të Oslos. Ministri palestinez i Turizmit, Hani Al-Hayek, tha se kontrolli mbi këto vende synon të zgjerojë ndikimin izraelit dhe vendbanimet hebraike në territoret palestineze.

Debati është përqendruar veçanërisht te zona arkeologjike e Sebastias, në veri të Bregut Perëndimor, ku ndodhen rrënoja të periudhave izraelite, romake, bizantine dhe kryqtare. Banorët vendas thonë se plani për konfiskimin e tokave rrezikon mijëra pemë ulliri dhe ekonominë lokale të mbështetur te turizmi.

Organizata izraelite “Peace Now” e ka cilësuar ligjin një masë aneksioniste, duke paralajmëruar se mund të çojë në konfiskime të gjera tokash palestineze. Sipas saj, përdorimi i arkeologjisë për zgjerimin e kolonive nuk është një praktikë e re, por përmasat e veprimeve aktuale janë të paprecedenta.

Nga ana tjetër, deputeti izraelit Zvi Sukkot, një nga mbështetësit kryesorë të projektligjit, deklaroi se synimi është mbrojtja e dëshmive historike që lidhen me periudhat biblike dhe lidhjen e popullit hebre me këtë tokë.

Çështja ka shkaktuar shqetësim edhe në Izrael, ku Akademia e Shkencave dhe Humaniteteve ka kërkuar tërheqjen e projektligjit, duke paralajmëruar pasoja për marrëdhëniet ndërkombëtare dhe bashkëpunimin shkencor në fushën e arkeologjisë.

EMISIONET