Braho: Sot drejtësia përfaqëson interesin publik, duhet të ruajmë standardet e arritura
Në aktivitetin e organizuar ditën e sotme, me rastin e përmbylljes së procesit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve, mbajti fjalën e rastit edhe drejtuesi i Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), Klodjan Braho.
Kreu i SPAK-ut vlerësoi se vetingu ka luajtur një rol të rëndësishëm në transformimin e sistemit të drejtësisë dhe në forcimin e besimit të publikut te institucionet.
Sipas tij, procesi i rivlerësimit ndikoi në ripërtëritjen e sistemit dhe në vendosjen e standardeve të reja të përgjegjshmërisë dhe integritetit.
“Besimi i qytetarëve te drejtësia nuk mund të kërkohet pa përgjegjshmëri individuale. Standardet e vetingut reflektohen në punën e përditshme të gjyqtarëve dhe prokurorëve, të cilët tashmë kanë kaluar në filtra të sigurt që garantojnë besimin e publikut”, u shpreh Braho, ndërsa falënderoi të gjithë aktorët që kontribuuan në realizimin e procesit, të cilin e cilësoi historik për sistemin shqiptar të drejtësisë.
Duke u ndalur te ndikimi i vetingut në funksionimin e SPAK, Braho tha se procesi ka ndihmuar në krijimin dhe konsolidimin e institucioneve të reja të drejtësisë.
“Për SPAK-un, vetingu ka pasur një rol të veçantë. Sot drejtësia përfaqëson interesin publik me profesionalizëm dhe paanshmëri. Institucionet e reja të dala nga reforma në drejtësi kanë fituar pjekurinë e nevojshme. Sfida jonë tani është ruajtja e standardeve të arritura”, deklaroi Braho.
Konferenca u përqendrua te rezultatet e deritanishme të procesit të vetingut, si dhe te sfidat që lidhen me garantimin dhe ruajtjen e standardeve të vendosura nga reforma në drejtësi.


