Bllokimi në aksin Librazhd–Prrenjas / ARRSH: Ende pa një afat konkret për hapjen e aksit provizor

Juglindja ndodhet tashmë prej gati një jave e bllokuar, për shkak të shembjes së aksit Librazhd-Prrenjas, në vendin e quajtur “Arrat e Gurrës”.
Si pasojë e situatë së krijuar, Autoriteti Rrugor Shqiptar njofton se po punohet për krijimin e një bypass-i provizor rreth 1.3 kilometra në lumë.
Mjetet e rënda kanë nisur punimet për sistemimin e rrjedhës së lumit Shkumbin, për të krijuar hapësirën e nevojshme për ndërtimin e një rruge alternative përgjatë linjës hekurudhore.
Po punohet edhe për heqjen e masave të dherave në të dy anët e rrugës ekzistuese, me qëllim hapjen e terrenit ku do të vendosen sondat për realizimin e studimit të detajuar gjeologjik dhe vlerësimin teknik të zonës së prekur.
Përfundimi i studimit gjeologjik do të sjellë edhe ripunimin e projektit të zbatimit për këtë aks rrugor, dhe mundësinë për ndryshimin e trajektores së tij.
Momentalisht kalimi më vështirësi bëhet në akset alternative nga fshatrat e Librazhdit, nga aksi Maliq – Lozhan– Gramsh – Elbasan, si dhe aksi Qafë Thanë – Pogradec – Korçë – Përmet – Tepelenë, ndërsa për mjetet e rënda përdoret Qafë Thanë – Maqedoni – Bllatë - Rruga e Arbërit.
Për shkak të rritjes së kostove dhe vështirësive të udhëtimit, mjetet e transportit publik që përdorin këto itinerare alternative për juglindjen kanë rritur çmimet e biletave.
Një fenomen i tillë është vënë re edhe tek produktet ushqimore ku raportohet rritje çmimesh nga 20 deri në 50%. Tregtarët shprehen se mungesa e mallrave dhe kostot më të larta të transportit po reflektohen drejtpërdrejt te xhepat e qytetarëve.
Në një reaksion zhinxhir, bllokimin e rrugës e ka ndier edhe turizmi, ku Korça, Dardha dhe Pogradeci janë boshatisur nga vizitorët e fundjavës, teksa bizneset e hotelerisë dhe restoranteve raportojnë mungesë rezervimesh.
Pavarësisht punimeve për një bypass përgjatë lumit Shkumbin, akoma nuk ka një afat konkret për hapjen e këtij aksi provizor dhe rikthimin e qarkullimit normal drejt qyteteve të Juglindjes.

