Banorët protestojnë para Kuvendit/ Kundërshtojnë projektin TID në Durrës dhe resortin në Rrjoll, kërkojnë mbrojtjen e pronave

Teksa sot pritet të mblidhet Kuvendi në seancë plenare, jashtë godinës është njoftuar një protestë qytetare.
Mësohet se rreth orës 9:00, banorë të Rrjollit të Velipojës, dhe ata që preken nga projekti TID në Durrës, do të ‘zbarkojnë’ para Kuvendit, ku do të protestojnë për të drejtat e tyre.
Ata pretendojnë se po u zaptohen pronat.
Bulevardi “Epidamn”, që lidh Bashkinë e Durrësit me hyrjen e portit, u ndërtua rreth një shekull më parë, pas tërmetit të rëndë të vitit 1926. Rruga ndërroi disa herë emër, por është ngulitur në memorien e banorëve të Durrësit si “Rruga Tregtare” për shkak të dyqaneve në të dy anët e saj.
Si pjesë e qendrës historike, bulevardi “Epidamn” do t’i nënshtrohet një projekti rijetëzimi të njohur si TID Durrës, i cili po realizohet përmes një marrëveshje bashkëpunimi mes Fondit Shqiptaro- Amerikan të Zhvillimit, Ministrisë së Kulturës dhe Bashkisë së Durrësit.
Por projekti ka shkaktuar shqetësime, pasi parashikon të prekë dhjetra prona private dhe t’i shpronësojë ato me vlera poshtë çmimit të tregut.
Ndërsa banorët e fshatit Rrjoll janë kundër ndërtimit të resortit të Bashkim Ulajt në Rrjoll me pretendimin se u janë grabitur pronat.
Banorët kanë depozituar një kërkesë zyrtare drejtuar Prokurorisë, ku kërkojnë një zgjidhje sa më të shpejtë ligjore lidhur me vërtetësinë e dokumenteve që disponojnë për pronësinë e tokës në zonën e Rrjollit, aty ku po ndërtohet resorti turistik i Bashkim Ulajt.
“Larg hajdutët! Tokat tona nuk i dorëzojmë! Duam drejtësi! Ku është ai njeri që s’vjen të përballet me ne?”, ishin disa prej thirrjeve të banorëve në protesta e disa ditëve më parë.

