Balla: Pasuritë e sekuestruara me burim kriminal, në shërbim të sipërmarrjeve sociale

Asetet e konfiskuara të krimit të organizuar dhe të korrupsionit po përdoren, edhe për sipërmarrjet sociale dhe për t’i ardhur në ndihmë grupeve dhe komuniteteve vulnerabël.

Ministri i Brendshëm, Taulant Balla ishte sot në Durrës ku apartamenti i sekuestruar i një ish-zyrtari të lartë është kthyer në “Qendër Arti dhe Aktivizmi”.

Balla u shpreh se asnjë pronë e krijuar me burim kriminal nuk do të dalë më në shitje, për të shmangur rënien e tyre në dorë të personave që u janë konfiskuar.

Ai shtoi se sekuestrimi i këtyre aseteve të pajustifikuara, është dëshmi e funksionimit të drejtësisë së re.

“Sot jemi në një pronë që është sekuestruar me vendim të Gjykatës së Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ndaj një zyrtari të lartë shtetëror, i cili këtë apartament nuk e justifikonte dot me të ardhurat e veta.

Ky është një rezultat i prekshëm i Reformës në Drejtësi dhe një mesazh i qartë kundër gjithë skeptikëve dhe kundërshtarëve të Reformës në Drejtësi, sepse e vërteta është se sot, në Shqipëri ka dy palë: një palë që mbështet Reformën në Drejtësi dhe një palë tjetër që është kundër”, u shpreh Balla.

Balla theksoi se “ky apartament sot është shembulli më kuptimplotë ndaj gjithë skeptikëve se pasuritë e krijuara për shkak të përfshirjes në grupe kriminale apo për shkak të korrupsionit, po sekuestrohen”.

“Lajmi më i mirë që ne mund të japim është që asnjë prej pasurive të sekuestruara apo të konfiskuara, nuk do të privatizohet më. Kemi mësuar ne, edhe unë u desh të mësoja nga prokurorët antimafia javën e kaluar në Itali, se nëse do të shkonin për privatizimin e tyre, shanset që ato të rikthehen te ish-poseduesit, janë shumë të mëdha”, nënvizoi Balla.

Në pak javë u plotësua cikli i disa lloj pronash, të cilat janë marrë në administrim nga Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara (AAPSK).

“Ishim para pak ditësh në një hotel të konfiskuar krimit të organizuar, i cili do të shërbejë si një shtëpi pushimi për punonjësit e Policisë.

Keni parë në media faktin që shumë makina të luksoze, të shpejta, të cilat ishin blerë nga krimi, kanë kaluar tashmë në përdorim nga Policia e Shtetit.

Sapo kemi kaluar sot një ‘Lamborghini’ më thanë drejtuesit e Agjencisë, për t’i shërbyer Policisë së Shtetit në luftën e saj ndaj krimit”, u shpreh ministri.

Balla nxiti organizatat jofitimprurëse të aplikojnë për projekte që mbështetin të reja e gra, pre e dhunës. Ai tha se një pjesë e pronave të bllokuara do të përdoren për familjet e Dëshmorëve të Policisë, rënë në krye të detyrës.

“Unë i nxis jo vetëm ‘Partners Albania’, dhe këtë e kam bërë me të gjithë shoqatat, OJQ, të vini me projektide, madje mund t’ju jepja sugjerime.

Shumë nga këto apartamente mund të përdoren për strehimin e vajzave, grave, motrave tona, të cilat vuajnë pasojat e dhunës në familje”, tha ai.

Balla tha se ka pasur një qasje krejtësisht të re për sa i përket dhunës në familje.

“Tashmë një protokoll të ri në qasje dhe nuk do t’i thotë Policia e Shtetit siç vepronte dikur që tani shiko se familja është shumë e rëndësishme, se një fjalë më shumë, por ne duhet të kemi gati apartamentet ku gjithkush që nxjerr në pah një rast dhune dhe dhuna është shumëplanëshe, ne duhet t’i gjejmë një strehëz të re dhe të filloj një jetë të re.

Madje ta promovojmë dhe të kuptojmë që çlirimi nga gjithë ajo vuajtje është një fitore shumë e madhe”, tha ai.

Duke folur për familjet e dëshmorëve të Policisë së Shtetit, Balla tha se pjesa më e madhe e të rënëve në kryerjen e detyrës, i ka lënë fëmijët pa një apartament.

“Agjencia duhet të mendojë të bëjë diçka sesi ne mund një pjesë të këtyre apartamenteve t’i vendosim në dispozicion të familjeve të Dëshmorëve të Policisë së Shtetit, të gjithkujt që jep jetën e tij në dobi të interesit të përbashkët.

Nga Italia kemi shumë për të mësuar sepse ata kanë një qasje të vjetër dhe të konsoliduar tashmë në këtë qasje”, theksoi kreu i Ministrisë së Brendshme.

EMISIONET