Real Madridi mendon pasardhësin e Viniciusit/ Florentino Perez synon Erling Haalandin për epokën e re

Real Madridi ka nisur të mendojë për skenarët e së ardhmes, me drejtuesit e klubit që e shohin Erling Haalandin si zëvendësuesin ideal të Vinicius Juniorit në rast se braziliani largohet nga “Santiago Bernabeu”.
Sipas raportimeve të gazetarit Carlos Carpio, negociatat për rinovimin e kontratës së Viniciusit ende nuk kanë sjellë një marrëveshje përfundimtare, pavarësisht diskutimeve të gjata mes palëve.
Mospajtimet kryesore lidhen me aspektet financiare, përfshirë pagën dhe bonusin e rinovimit, ndërsa Real Madridi nuk dëshiron të prishë strukturën e tij të pagave.
Kontrata aktuale e Viniciusit skadon në qershor të vitit 2027 dhe, nëse nuk arrihet një marrëveshje e re, sulmuesi brazilian do të mund të negociojë me klube të tjera jashtë Spanjës që nga janari i atij viti.
Në këtë situatë, “Los Blancos” mund të detyrohen të marrin një vendim të vështirë: ta shesin yllin brazilian përpara përfundimit të kontratës ose të rrezikojnë ta humbin pa përfituar financiarisht.
Në rast largimi të Viniciusit, drejtuesit madrilenë e konsiderojnë Erling Haalandin si emrin kryesor për të udhëhequr sulmin e klubit në të ardhmen. Sipas raportimeve, Real Madridi është tashmë i informuar për kushtet financiare të mundshme të transferimit të norvegjezit nga Manchester City.
Haaland mbetet një nga objektivat më të mëdhenj afatgjatë të klubit spanjoll, ndërsa Florentino Perez synon të vazhdojë ndërtimin e një skuadre me yjet më të mëdhenj të futbollit botëror./Telegrafi


