8 armët e kapura në port dolën nga “Sihana Transport”. Pronari ndodhet në Angli, në 2021-n iu bllokuan 124 mijë euro
SPAK ka nisur hetimin për kompaninë Sihana Transport pas gjetjes së 8 pistoletave në portin e Durrësit. Tashmë janë sekuestruar edhe pamjet e kamerave për të zbuluar personin që i futi në kutinë postare, ndërsa letërporosi është nisur edhe drejt Londrës ku rezulton se është regjistruar subjekti.
Kapja e 8 pistoletave në portin e Durrësit që kishin si destinacion final Anglinë, ka sjellë hetime për pronarin e agjensisë së transportit, “Sihana Transport”.
Kompania vepron në Shqipëri pranë një spitali privat në Tiranë. Mdërsa rezulton se prej shkurtit 2021 të jetë rregjistruar si biznes dhe zonën Lutonit në Londër, ku pronar i së cilës është Guxim Sefolli.
Ky i fundit aktualisht ndodhet në Angli, ndërsa emri i tij në Maj 2021, u lakua nga policia pasi në Portin e Durrësit u bllokua një shumë prej 124 mijë paund që transportohej nga Anglia në drejtim të Shqipërisë.
Në atë periudhë e gjithë sasia e Paundëve ka qënë e futur në disa pako dhe çanta të vogla.
Ndërsa gati dy vite më pas sërisht në portin e Durrësit, në furgonin në pronësi të Hasianit Guxim Sefolli, janë kapur 8 pistoleta dhe municione të kalibrave të ndryshëm, që kishin si destinancion Anglinë.
SPAK dhe policia e Shtetit, tashmë kanë nisur hetimet për zbulimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë rast.
Ndërsa i vetmi i arrestuar për akuzën e “Trafikut të armëve të zjarrit” është drejtuesi i furgonit, shtetasi Jetmir Koloshi.
Gjatë marjes në pyetje, shoferi i furgonit ka treguar para policëve atë çfarë dinte, por pa qënë në gjëndje të thotë emrin e personit që kishte çuar kutinë me tavolinën,ku ishin vendosur 8 pistoletat dhe municioni.
SPAK, tashmë ka sekuestruar pamjet filmilke të pikës së magazinimit të objekteve postare, nga ku janë futur në furgonin e kapur në portin e Durrësit.
Me shpresën e zbulimit të personave që kanë çuar tavolin ku ndodheshin 8 armët, grupi i hetimit ka sekuestruar pamjet filmike të një lavazhi dhe spitali privat, që ndodhet pranë ambjenteve ku magazinës “Sihana Transport”.
Deri në këtë fazë të hetimit, janë duke u verifikuar disa persona. Ndërsa SPAK sot ka kërkuar ndihmën e autoriteteve angleze me qëllim lokalizimin dhe verifikimin e pronarit të kompanisë, Guxim Sefolli.
Për të hedhur dritë mbi këtë çështje, SPAK ka kërkuar urgjentisht ekspertimin balistik të 8 armëve, me qëllim për të mësuar nëse ato janë përdorur në ngjarje të tjera kriminale.
Gjithashtu është kërkuar ekspertim daktiloskopik për gjurmët e gishtave dhe ekzaminim për faktorë biologjikë që mund të gjenden në shtresën e metalit të 8 armëve.