Nga 0-2 në 3-2! Përmbysje e madhe e Argjentinës falë Messit dhe… VAR-it

Argjentina kaloi në çerekfinalen e Botërorit pas një ndeshjeje dramatike ndaj Egjiptit.
Deri në minutën e 79, bardhekaltërit ishin në disavantazh 0-2, pasi Ibrahim në minutën e 15 dhe Ziko në minutën e 67 kishin shënuar dy gola për Egjiptin, që deri në atë moment kishte treguar një nivel më të lartë se Messi me shokë.
Për t’u përmendur, një gol tjetër i Zikos në minutën e 58, pas një aksioni model të egjiptianëve, por që u anulua pas rishikimit në VAR për një faull të ndodhur në anën tjetër të fushës.
Nga minuta e 79 nisi përmbysja e kampionëve të botës në fuqi. Fillimisht, Romero shënoi me kokë pas një krosimi të Messit.
Në minutën e 83-të ishte vetëm Messi i cili barazoi rezultatin, ndërkohë që në minutën e dytë shtesë, Enzo Fernandez realizoi golin e tretë dhe të fitores për Argjentinën.
Në çerekfinale, Argjentina pret fituesin e duelit Zvicër-Kolumbi.


