Familjarët e të riut 35-vjeçar që humbi jetën sot në aeroportin e Kukës, teksa dyshohet se u përplas nga koka e një eskavatori, kërkojnë drejtësi për djalin e tyre.

Duke folur për gazetarët para morgut, xhaxhai i të ndjerit Abdullah Gashi thotë me bindje se atë e ka vrarë eskavatori ndaj dhe kërkon nxjerrjen e përgjegjësisë nga firma.

“Erdha dhe e gjeta në morg. Kanë lajmëruar ekspertizën me ardh nga Tirana, nga Tirana dhe këtu duhen 6 orë. Sapo erdhën. Ka hyrë një pjesëtar i familjes me të aty. Duam zbardhjen e  çështjes deri në fund. E ka mbytur eskavatori”.

Ai tregon më tej se i nipi i tij ishte punuar rishtas.

“Kishte filluar punë pardje. Ka numëru kamionët e dheut atje, nuk ka pasur detyrë tjetër. Punëtor i thjeshtë”.

Nga policia thotë se nuk u është dhënë asnjë informacion por ka një paralajmërim.

“Policia nuk na ka dhënë asnjë informacion. Dua zbardhjen e  çështjes deri në pikë të fundit. Në rast se këto nxjerrin pretendim tjetër do të kërkoj ekspert privat. Kam 80 veta që më presin në shtëpi”.

35-vjeçari që humbi jetën ishte i martuar dhe la pas dy fëmijë jetimë.