"Cilësia është në majë”/ Myrta kundër kritikëve të Botërorit: Po shohim një nga turnetë më të bukur
I ftuar në emisionin “Ora e Botërorit”, gazetari sportiv Ermal Myrta u bë pjesë e debatit mbi nivelin e Kampionatit Botëror, një temë që ka ndarë opinionet mes analistëve dhe tifozëve.
Gjatë diskutimit në studio, Myrta kundërshtoi idenë se cilësia e turneut ka rënë, duke argumentuar se Botërori aktual po ofron një futboll më konkurrues dhe më të balancuar se në shumë edicione të mëparshme.
"Mendoj që është një nga Botërorët më të bukur që po shohim. Nuk e di profesori si e ka parë, por edhe me shumë ekipe që kanë ardhur, po shohim futboll të mirë."-tha Myrta.
Në analizën e tij, ai u ndal te fakti që skuadrat favorite nuk po arrijnë më të dominojnë ndeshjet me lehtësinë e dikurshme, duke e konsideruar këtë si një tregues të rritjes së nivelit të përgjithshëm të futbollit.
"Cilësia është në majë, mendoj unë. Pse është në majë? Sepse Spanja nuk fiton dot një ndeshje dhe del 0-0. Kjo do të thotë që të gjitha kombëtaret po japin një nivel të lartë futbolli."-shtoi ai.
Sipas Myrtës, rezultatet surprizë dhe vështirësitë që po hasin ekipet tradicionale nuk duhen parë si dobësi e tyre, por si forcim i kundërshtarëve.
"Duhet të shohim që niveli është rritur te të gjithë. Sot asnjë ndeshje nuk fitohet para se të luhet."-theksoi Myrta.


