Kantieri i aeroportit të Kukësit u përgjak. Një i ri, baba i dy fëmijëve humbi jetën aty në ditën e tretë të punës. Paraprakisht raportohet se ai u godit nga kova e një eksavatori, por ende askush nga firma apo institicionet përgjegjësë nuk kanë dhënë detaje për atë që ndodhi brenda rrethimit të kantierit.

Ky është Meriman Gashi, punëtori që humbi jetën në kantierin e aeroportit të Kukësit.

I riu nga fshati Nangë e Kukësit e kishte vetëm ditën e tretë të punës të cilën nuk arriti ta mbyllë dot për shkak të një aksidentit.

Burimet thanë se ai u godit në kokë nga kova e një fadrome ndërsa po punonte në kantier.

Plaga ka qenë e rëndë e për pasojë i ka kushtuar jetën, 35 vjeçarit, baba i dy fëmijëve.

Detajet për atë që në të vërtetë ndodhi brenda zonës së rrethuar të aeroportit janë të pakta.

Mungesa e informacionit dhe vonesa prej disa orëshe e ekspertizës ngjallur dyshime mes familjarëve të Meriman Gashi.

Ata kërkuan zbardhjen e të vërtetës për atë që ndodhi brenda kantierit të Aeroportit të Kukësit.

LEXO

Vdekja e punëtorit të aeroportit të Kukësit, xhaxhai: E mbyti eskavatori, të zbardhet e vërteta ose…

Policia e Kukësit e kontaktuar konfirmoi vdekjen e të riut, por ende nuk ka dalë me një njoftim zyrtar për ngjarjen e rëndë.

Blutë e Kukësit thonë se janë ende në pritje të veprimeve hetimore për të zbuluar dinamikën e aksidentit që përgjaku kantierin e aeroportit të Kukësit.

Asnjë reagim nuk ka as nga Inspektoriati i Punës që ka për detyrë monitorimin e kushteve të punës në aeroportin e shumëreklamuar nga përfaqësuesit e qeverisë për ecurinë e shpejtë të punimeve.

Aeroporti i Kukësit, iu dha me koncesion një vit më parë një konsoerciumi mes dy shoqërive shqiptare “Global Technical Mechanichs” dhe “Bami” sh.p.k.