Trafiku i refugjatëve sirianë, tre të arrestuar në Korçë. Mes tyre dhe dy femra
Një operacion i kryer nga Shërbimi i Çështjeve dhe Kontrollit të Brendshëm në Korçë, ka çuar në arrestimin e tre personave që merreshin me trafikimin e klandestinëve sirianë.
Ora News mëson se, personat e arrestuar janë A. L., E. Ç. dhe S. Q. Pikërisht dy femrat ishin të përfshira në këtë trafik të klandestinëve dhe në momentin e arrestimit dy gratë dhe Lila po transportonin në zonën e Zëmblakut në brendësi të territorit shqiptar 8 emigrantë sirianë.
Këta të fundit kishin paguar një shumë financiare prej 350 euro secili, me qëllimin e vetëm për të kaluar nga zona e kufirit të gjelbërt deri në zonën e Pogradecit dhe mandej Tiranës.
Pikasja e tyre është bërë nga oficerët e policisë gjyqësore Korçë, duke sjellë dhe arrestimin e tre personave që kishin organizuar transportimin e sirianëve.
Të dyja femrat që u arrestuan nga policia, ishin drejtuese automjeti tip Renault dhe Mercedes, ku në këto automjete janë sekuestruar bagazhet dhe janë gjendur emigrantët sirianë. Sirianët ishin fshehur në bagazhet e autovetura të mbuluar me rroba të ndryshme.
Ky është operacioni i rradhës që kryen SHÇBA-ja e Korçës për goditjen dhe parandalimit të fenomenit të trafikut të klandestinëve Sirianë që vijnë nga territori grek, hyjnë në Shqipëri dhe tentojnë të kalojnë në Itali.