Skandal në kompaninë e vajzës së Bill Gates: "Phia" hetohet për praktika të dyshimta digjitale

Skandal në kompaninë e vajzës së Bill Gates:

Kompania teknologjike Phia, e cila zhvillon zgjidhje për blerje me ndihmën e inteligjencës artificiale e bashkëthemeluar nga 23-vjeçarja Phoebe Gates, vajza më e vogël e themeluesit të Microsoft, Bill Gates, është përfshirë në një skandal. Dyshohet se aplikacioni i saj ka përfituar në mënyrë të pajustifikuar komisione nga shitjet online përmes praktikave të ndaluara digjitale.

Sipas një hulumtimi të publikuar nga Bloomberg, zgjerimi i kompanisë Phia për shfletuesit e internetit hapte fshehurazi dritare në sfond gjatë pagesave online dhe shtonte kodet e veta për të ridrejtuar komisionet e marketingut në llogarinë e kompanisë.

Kjo praktikë, e njohur në marketingun digjital si “cookie stuffing”, shkel drejtpërdrejt rregullat e shumicës së platformave të shitjeve online.

Zëdhënësi i startup-it Phia deklaroi se bëhej fjalë për një gabim në kod, i cili ndërkohë është korrigjuar. Pavarësisht këtij skandali, Phia, e cila krahason çmimet e veshjeve dhe gjen alternativa më të lira në internet, po shënon rritje të madhe. Së fundmi, kompania ka siguruar mbi 37 milionë euro investime nga investitorë të Silicon Valley, ndërsa është vlerësuar në rreth 159 milionë euro.

Phoebe ka deklaruar se është e vendosur të ketë sukses vetëm falë meritave të saj dhe se gjatë prezantimit të projektit para investitorëve kishte zgjedhur që qëllimisht të mos përmendte mbiemrin e saj.

Rikujtojmë, se Bill Gates, ka zbuluar se ishte i shqetësuar se vajza më e vogël, Phoebe, do t’i kërkonte para për të nisur biznesin e saj, pas vendimit për të kufizuar trashëgiminë e saj.

Phoebe Gates, 22 vjeçe, e diplomuar në Universitetin Stanford, së bashku me ish-shoqen e saj të dhomës, Sophia Kianni, kanë lançuar së fundmi një aplikacion të ri për tregti elektronike të quajtur Phia. Platforma, e cila u bë aktive më 24 prill, u ofron blerësve një mënyrë të thjeshtë për të krahasuar çmimet e produkteve të reja dhe të përdorura në mijëra faqe shitjeje.

Kur dëgjoi për herë të parë idenë e vajzës së tij, Gates tha për The New York Times: “Wow, shumë njerëz e kanë provuar dhe ka disa lojtarë të mëdhenj në këtë fushë”. Ai pranoi gjithashtu se kishte frikë se e bija do t’i kërkonte fonde për ta financuar projektin. “Mendova, ‘Oh, tani do të vijë dhe do të kërkojë para’”-u shpreh ai. 

 

EMISIONET