Meta godet privatësinë/ Syzet inteligjente do të bllokojnë regjistrimin nëse mbulohet drita LED

Gjiganti teknologjik "Meta" ka prezantuar një masë të re të rreptë të sigurisë për syzet e saj inteligjente (Smart Glasses), duke shënjestruar direkt mbrojtjen e privatësisë së njerëzve që rrethojnë përdoruesit. Nga tani e tutje, syzet do të çaktivizojnë automatikisht kamerën nëse drita treguese LED mbulohet, dëmtohet apo manipulohet në çfarëdo forme.
Deri më tani, syzet inteligjente të Meta-s kishin një dritë të vogël LED në cep të kornizës, e cila pulsonte për të njoftuar personat për rreth se kamera është duke regjistruar video ose duke bërë foto.
Megjithatë, ky tregues u kritikua nga shumë përdorues dhe ekspertë, të cilët ngritën shqetësime se drita ishte shumë e lehtë për t'u injoruar ose mund të mbulohej qëllimisht me shirit ngjitës për të bërë regjistrime të fshehta.
Ky funksion i ri është aktualisht i disponueshëm në syzet inteligjente të gjeneratës së dytë të Meta-s (dhe modelet më të reja), por kompania ka konfirmuar se do të lansohet përmes përditësimeve në të gjitha syzet inteligjente që ajo ka prodhuar.
Përveç ndryshimeve në pajisje, Meta ka njoftuar se do të ndërmarrë masa ligjore dhe teknologjike në platformat e saj. Kompania do të fshijë nga rrjetet sociale, reklamat dhe listat e shitjeve online (si Marketplace) të gjitha ato postime apo shërbime që promovojnë vegla apo metoda për çaktivizimin dhe manipulimin e dritës LED të syzeve./TELEGRAFI

