BMW ndryshon rregullat/ Legjendarja M2 vjen për herë të parë me xDrive

BMW ka marrë një vendim që deri pak vite më parë do të dukej i paimagjinueshëm për një model të divizionit M. Ikona sportive M2 do të ofrohet tashmë edhe me sistemin e tërheqjes në të katër rrotat, xDrive, duke iu përgjigjur kërkesave të vazhdueshme të klientëve.
Për dekada, M2 është identifikuar si një makinë sportive me tërheqje vetëm në rrotat e pasme, por kërkesa nga tregje si SHBA-ja dhe Zvicra, ku dimrat janë të ashpër, e shtyu BMW-në të ndryshojë strategji.
Megjithatë, prodhuesi gjerman thekson se karakteri sportiv i modelit nuk është komprometuar. Sistemi inteligjent M xDrive shpërndan fuqinë mes boshteve sipas kushteve të rrugës, ndërsa shoferët mund ta çaktivizojnë atë për ta kthyer M2 në një makinë klasike me tërheqje vetëm në rrotat e pasme.
Nën kofano mbetet motori 3.0-litërsh me gjashtë cilindra dhe dy turbo, që zhvillon rreth 480 kuaj/fuqi dhe 600 Nm çift rrotullues.
Falë sistemit xDrive, përshpejtimi nga 0 në 100 km/h zbret në vetëm 3.7 sekonda, rreth 0.3 sekonda më shpejt se versioni me tërheqje të pasme.
Versioni me xDrive do të jetë i disponueshëm vetëm me transmision automatik me tetë shpejtësi, ndërsa adhuruesit e ndërrimit manual mund të zgjedhin ende variantin klasik me rrota të pasme.
Me këtë lëvizje, BMW tregon se edhe modelet më ikonike po evoluojnë për të kombinuar performancën sportive me më shumë siguri, praktikë dhe përdorshmëri në çdo stinë.


