Të maskuar e të armatosur rrahën barbarisht 30 vjeçarin, zbardhet konflikti në Fushë Krujë, arrestohet njëri prej autorëve

Pesë ditë pas dhunimit të 30 vjeçarit Elvis Elezi në Fushë Krujë, policia ka arritur të identifikojë një prej autorëve, por pa mundur ta vërë në pranga.
Në kërkim është shpallur 34-vjeçari Gazment Kusta, i cili rezulton i dënuar më parë jashtë vendit, për trafikimin të lëndëve narkotike.
Ai në bashkëpunim me të paktën tre persona të tjerë, të armatosur e maskuar dhunuan fizikisht Elezin brenda një lokali në Fushë Krujë.
Teksa dhunonin 30 vjeçarin në mënyrë barbare me sende të forta ata kërcënuan klientët e tjerë në lokal që të mos lëviznin dhe të mos tentonin të njoftonin policinë.
Dyshimet e policisë janë se shkak për sherrin është prishja e pazareve të drogës, pistë kjo e përforcuar nga e shkuara e 30 vjeçarit Elezi i cili rezulton i dënuar për narkotrafik në Kroaci.
Megjithatë, nuk përjashtohen as konflikte të tjera mes grupeve që veprojnë në zonën e Krujës.
Në kuadër të hetimit në pranga është vënë edhe 31 vjeçari Geart Bakalli, i cili ka fshehur makinën dhe veshjet e autorëve të dhunimit të Elvis Elezit.
Policia e Krujës, thotë se ende po punohet për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në ngjarje dhe vënien e tyre para drejtësisë.
