VIDEO/ Galatsaray befason Liverpoolin në sfidën e parë në Stamboll, vendos Lemina

Galatsaray merr një fitore shumë të rëndësishme 1-0 ndaj Liverpool në ndeshjen e parë të fazës së 1/8-ës së finales në UEFA Champions League.
Takimi u zhvillua në stadiumin Ali Sami Yen Sports Complex, ku skuadra turke arriti të marrë avantazhin minimal përpara ndeshjes së kthimit.
Goli i vetëm i takimit erdhi shumë herët, në minutën e 7-të. Pas një goditjeje nga këndi, Victor Osimhen devijoi topin me kokë në zonë, ndërsa Mario Lemina reagoi menjëherë duke e dërguar topin në rrjetë me një tjetër goditje me kokë.
Në minutën e 61-të, vendasit menduan se kishin dyfishuar epërsinë, por goli u anulua për pozicion jashtë loje.
Nga ana tjetër, Ibrahima Konaté realizoi për ekipin anglez në minutën e 72-të, por që sërish u anulua pasi gjyqtari konstatoi një prekje të topit me dorë nga mbrojtësi i Liverpool.
Ndeshja e kthimit mes Liverpool dhe Galatasaray do të zhvillohet më 18 mars në stadiumin legjendar Anfield, ku do të vendoset skuadra që do të avancojë në çerekfinale të UEFA Champions League.


