VIDEO/ Argjentina mposht Islandën në miqësore, rikthehet me gol Messi

Kombëtarja e Argjentinës fitoi 3-0 ndaj Islandës në ndeshjen e fundit miqësore përpara nisjes së Kupës së Botës, e zhvilluar në Auburn të Alabamës, përpara rreth 88 mijë tifozëve.
Trajneri Lionel Scaloni zgjodhi të aktivizojë një formacion eksperimental, ndërsa vëmendja kryesore ishte te rikthimi në fushë i kapitenit Lionel Messi. Sulmuesi nisi takimin nga stoli dhe u aktivizua në minutën e 70-të në vend të Giovanni Simeone, pas rikuperimit nga dëmtimi që kishte pësuar në fund të muajit maj gjatë një ndeshjeje të Inter Miami kundër Philadelphia Union.
Argjentina kaloi në avantazh që në minutën e 8-të falë një goditjeje të bukur nga distanca të Valentín Barco. Pak minuta pas hyrjes në fushë, Messi ndikoi menjëherë në lojë duke shërbyer për Lautaro Martínez, i cili u ndal në mënyrë të parregullt në zonë nga Olafsson.
Nga pika e bardhë, Messi nuk gaboi, duke realizuar golin e tij të 117-të me fanellën e Argjentinës në paraqitjen e 199-të me kombëtaren.
Goli i tretë u shënua në minutën e 86-të nga Thiago Almada, duke vulosur fitoren e thellë të kampionëve të botës. Ndërkohë, Lautaro Martínez ishte pranë golit personal, por tentativa e tij përfundoi në shtyllë.
Argjentina do të nisë rrugëtimin e saj në Kupën e Botës më 16 qershor, kur do të përballet me Algjerinë në ndeshjen e parë të turneut.


