BIRN: Dezinformimi si mjet politik, si u fabrikua ‘zhvendosja e investimit në Mikonos’
Prej dhjetë ditësh, kryeqyteti shqiptar është skena e një vale të gjerë protestash, ku mijëra qytetarë kanë mbushur rrugët duke kundërshtuar projektin e ndërtimit të një resorti masiv në zonën e mbrojtur Pishë Poro – Nartë si dhe duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
Paralelisht me protestuesit në rrugë, fushata të ndryshme dizinformimi dhe informacione të pakonfirmuara po përdoren si instrumente për të devijuar debatin publik.
Rasti më i fundit lidhet me një informacion të pakonfirmuar, të publikuar në dy media online dhe të shpërndarë më pas nga deputeti socialist, Ardit Bido, një prej mbrojtësve më të zëshëm të planeve ende pa projekt në zonë, sipas të cilit dhëndri i Donald Trump, Jared Kushner, po tërhiqej nga investimi i tij në Shqipëri.
“Po tani që po del lajmi që Kushner do të tërhiqet nga Sazani e Zvërneci për të investuar miliarda euro në Mykonos, çfarë do thonë ata që thoshin se Greqia nuk ka dorë pas?”, shkroi Bido në Facebook, duke iu referuar pretendimeve të mëhershme të pambështetura në prova se Greqia po nxiste protestat.
Bido ndau në Facebook një link nga një media e panjohur greke, “Greek City Times”, e cila nga ana e saj u referohej pretendimeve të publikuara në rrjetin social X nga gazetari nga Kosova, Fitim Çeku.
Më 7 qershor, Çeku shkroi në X: “ Kompania e Jared Kushner po planifikon të tërhiqet nga investimi në Sazan”, ndërsa shtoi se burimet e gazetës së tij thonë se Greqia kishte ofruar kushte speciale për të investuar në Mikonos.
Çeku është themelues i “Gazeta Journal”, në faqen e së cilës pretendohet se është e fokusuar në luftën kundër ndikimeve malinje ruse dhe serbe në Ballkan. Ai pretendon një lidhje të fortë e publike me ish-Drejtorin e Inteligjencës Kombëtare të SHBA-së, Richard Grenell, të cilin e mbron vazhdimisht si aleat strategjik të Kosovës.
I pyetur nga BIRN për postimin në rrjetin X, Çeku tha se “nuk e kam të konfirmuar ende”.
Megjithatë, Çeku pretendoi se kishte burime dhe se informacioni i tij lidhej me diskutimet në Heritage Foundation, i cili një vit më parë mori në kontroll fondacionin “Abraham Accords Peace Institute” të Kushner.
Ai theksoi se është ende në pritje për të konfirmuar këtë informacion, qoftë për tërheqjen nga Shqipëria, qoftë për investimin e ri në Mykonos.
Informacioni i ndarë nga Çeku në Kosovë dhe që mori jehonë nga deputeti Bido në Tiranë nuk është publikuar në asnjë prej mediave serioze prej nga Kushner dhe kompania e tij kanë dhënë shpesh deklarata dhe asnjë agjenci lajmesh nuk e ka konfirmuar atë.
I pyetur nga BIRN për ndarjen e informacionit të pakonfirmuar, deputeti Ardit Bido tha se lajmi ishte publikuar nga një gazetë greke dhe akuzoi BIRN se kishte interesa dhe se mbronte Greqinë.
“Lajmi është publikuar në gazetën ‘Greek City Times’, media e diasporës greke që shpesh publikon edhe lajmet e BIRN, veçanërisht ato të cilat botohen në përputhje me interesa kundër Shqipërisë nga lobet greke…,” pretendoi Bido, pavarësisht se media në fjalë nuk rezulton të publikuar asnjë shkrim të BIRN në Shqipëri dhe për Shqipërinë.
Ky nuk është rasti i vetëm që eksponentë të shumicës parlamentare publikojnë informacione të paverifikuara. Më herët, kryeministri Rama pretendoi se pas protestës qëndronin iranianët si pjesë e një lufte hibride, ndërkohë që deputeti tjetër socialist, Taulant Balla ndau foton e një makine të agjencisë së lajmeve Reuters, duke pretenduar se ishin protestues nga Serbia. /BIRN


