Nga kapiten i PSG-së dhe kampion bote te liga e dytë e Katarit/ Rënia e pazakontë e Presnel Kimpembes në moshën 31-vjeçare

Presnel Kimpembe po përjeton një kapitull krejt ndryshe në karrierën e tij. Ish-kapiteni i Paris Saint-Germainit dhe kampioni i botës me Francën në vitin 2018, tashmë do të luajë në kategorinë e dytë të futbollit të Katarit.
Mbrojtësi francez ka nënshkruar me klubin Al-Kharaitiyat, pasi u largua nga Qatar SC, ku sezonin e kaluar zhvilloi vetëm 11 paraqitje.
Klubi i ri e konfirmoi zyrtarisht transferimin e 30-vjeçarit me një kontratë njëvjeçare, duke bërë të ditur se ai do të jetë pjesë e skuadrës për sezonin e ardhshëm.
Kimpembe u bashkua me akademinë e PSG-së në vitin 2005 dhe debutoi me ekipin e parë në vitin 2014. Gjatë aventurës së tij me klubin parisien, ai zhvilloi 241 ndeshje dhe fitoi 24 trofe, përfshirë tetë tituj të Ligue 1.
Ai u bë një nga simbolet e PSG-së, falë stilit agresiv në mbrojtje, karakterit të fortë dhe faktit se ishte një prej produkteve të akademisë së klubit që arriti të bëhej titullar mes yjeve ndërkombëtarë.
Megjithatë, vitet e fundit dëmtimet ndikuan në formën dhe vazhdimësinë e tij, duke e larguar gradualisht nga nivelet më të larta të futbollit evropian.
Në karrierën ndërkombëtare, Kimpembe ka zhvilluar 28 ndeshje me Francën dhe ishte pjesë e skuadrës që triumfoi në Kupën e Botës 2018 në Rusi.


