U rikthye me gola tek Inter Miami, por Messi mund të jetë mungesa e madhe kundër Uruguajit dhe Brazilit

Lionel Messi u rikthye në fushë me Inter Miamin pasi mungoi në tri ndeshje për shkak të një mbingarkese dhe argjentinasit besuan se alarmi kishte kaluar.
Madje, ai shënoi dy gola në dy ndeshjet e fundit. Por këtë mëngjes doli një lajm i papritur dhe shqetësues: Lionel Messi është në dyshim për dy ndeshjet e ardhshme të eliminatoreve të Amerikës së Jugut.
Kapiteni argjentinas ka shqetësime në muskujt e aduktorit dhe është në dyshim për listën e trajnerit Lionel Scaloni, për dy sfidat e vështira që ka Argjentina ndaj Uruguait dhe Brazilit.
Trajneri kishte marrë tashmë lajme të tjera të këqija, si dëmtimet e Gonzalo Montiel dhe Paulo Dybala-s.
Messi u rikthye si titullar në ndeshjen e djeshme të MLS midis Atlanta United dhe Inter Miami, ku fitorja e ekipit të Javier Mascherano e vendosi në krye të Konferencës Lindore.
Ish-‘ylli’ i Barcelonës e përballoi ndeshjen pa dukur se kishte ndonjë shqetësim. Ai shënoi një gol dhe krijoi një tjetër rast të pastër tri minuta para fundit, pas së cilës nuk tregoi asnjë shenjë dhimbjeje.
Megjithatë, këtë mëngjes, me lajmin e shqetësimeve të tij fizike, një episod i vogël nga ndeshja mori rëndësi.
Në minutën e 65-të të sfidës kundër Atlantës, "Pleshti" mori topin në të majtë dhe goditi diagonalisht, por portieri e priti gjuajtjen, duke shmangur atë që mund të ishte goli i avantazhit 2-1.
Menjëherë pas kësaj, Messi vendosi dorën në zonën e aduktorit të majtë dhe bëri gjeste dhimbjeje – një reagim që tani duket se ishte momenti kur u dëmtua.

