Trajneri i Lazios, Sarri nuk përmbahet: Hakmarrje ndaj Feyenoord se tallën by*ën me ne
Mauricio Sarri kërkon që Lacio e tij të kthehet përsëri protagoniste në Ligën e Kampioneve dhe i duhet që të bëjë rezultat në ndeshjen e nesërm ndaj Fejnord. Trajneri nuk ka ngurruar ta cilësojë këtë një hakmarrje për sfidën e parë të cilën italianët e humbën 3-1 në transfertë.
“Jemi në gjysmë të rrugëtimit, është e qartë që do të jetë një ndeshje shumë e rëndësishme. Do të mundohemi të bëjmë çdo gjë që t’ia dalim.
Edhe për faktin se në Roterdam fituan dhe tallën by*ën me ne, ndaj kjo na rëndon. Do të zbresim në fushë me përulësi, të ndërgjegjshëm që nuk jemi inferior ndaj askujt.
Ata janë një nga skuadrat më agresive në Europë, janë në limitet e faullit sistematik ndaj duhet lëvizur topi me shumë shpejtës”, tha Sarri para gazetarëve.
Ndërkohë, ai foli edhe për zërat e largimit të tij nga Lacio, duke i hedhur poshtë e duke i premtuar besnikëri klubit. “Meqenëse në Romë po qarkullon zëri që në fund të vitit dua të largohem, kjo shkon kundër të gjithë deklaratave të mia të mëparshme.
E kam thënë gjithmonë që në Romë ndjehem mirë dhe dua ta mbyll karrierën në Romë dhe e konfirmoj.
Një fillim kampionati me luhatje nuk më bën që të ndërroj mendje. Unë jam këtu, jam këtu dhe luftoj bashkë me presidentin, drejtorin sportiv, lojtarët dhe popullin tim. Kjo është ideja ime, kushdo që hedh te tjera, nuk thotë të vërtetën”, deklaroi Sarri.