Tirana fiton në Ballsh ndaj Bylisit, Nuhiu merr suksesin e parë

Tirana e ka nisur vitin 2026 me fitore në kampionatin e Kategorisë Superiore.
Bardheblutë triumfuan 0-1 në transfertë ndaj Bylisit, në ndeshjen e vlefshme për javën e 19-të, të zhvilluar në stadiumin “Adush Muça”.
Takimi u karakterizua nga lojë e luftuar, me raste për të dyja skuadrat, por pjesa e parë u mbyll pa gola. Në fraksionin e dytë, Tirana gjeti avantazhin pas një penalltie të fituar nga Redon Xhixha. Nga pika e bardhë, Rafael u tregua i saktë, duke shënuar golin e vetëm të takimit.
Skuadra kryeqytetase administroi avantazhin deri në fund, duke siguruar tre pikë të rëndësishme. Kjo ishte fitorja e parë për trajnerin Ardian Nuhiu në drejtimin e Tiranës.
Pas këtij suksesi, Tirana mbetet në vendin e fundit të renditjes me 13 pikë, duke vijuar luftën për mbijetesë. Bylisi, me pesë pikë më shumë, renditet në vendin e tetë të klasifikimit.


