Durrësi me stadium të ri/ Mbahet konkursi final me tre projekte në garë, Duka: I vonuar

Pas akademisë sportive, projekti i dytë madhor për Durrësin do të jetë restaurimi i stadiumit “Niko Dovana”. Në garën e hapur këtë të enjte u paraqitën tre kompani, ndërsa Agron Duka e cilëson të vonuar.

Pas premtimit për krijimin e Akademisë portive në Durrës me projektin në bashkëpunim me Manchester Cityn, kryeministri Edi Rama prezantoi projektet për stadiumin e ri "Niko Dovana".

Zbulimi vjen vetëm dy ditë pas përzgjedhjes së ndërtesës së futbollit në Korçë.

Prezent në konkurs ishte dhe Presidenti i Federatës shqiptare të Futbollit, Armand Duka, sipas të cilit kjo duhej të ishte realizuar me kohë.

Për ndërtimin e stadiumit “Niko Dovana” janë në garë 3 studiot prestigjioze të arkitekturës bashkëkohore 51N4E (Belgjikë) Bjarke Ingels Group, BIG (Danimarkë) dhe MVRDV (Holandë).

Fjala e plotë e kreut të FSHF-së, Armand Duka

I nderuar z. Kryeministër,

E nderuar kryetare e Bashkisë Durrës,

E nderuar znj. Ministre,

Miq e të ftuar, pjesëmarrës të komunitetit sportiv, shumë të nderuar pjesëmarrës të jurisë, mirëdita!

Jam vërtetë shumë i kënaqur që jam këtu mes jush, jo vetëm për faktin që do të lançojmë një projekt për futbollin, por edhe për faktin që jam në qytetin tim. Pra jam dy herë i kënaqur që ky projekt është në qytetin tim.

Durrësi mbase e meritonte shumë më parë një investim të tillë, por asnjëherë nuk është vonë dhe unë mendoj që me iniciativën që është marrë nga Kryeministri në këtë stacion të dytë, sepse i pari ishte Korça dhe i treti do të jetë Vlora në këtë tur, ne plotësojmë infrastrukturën sportive të futbollit të luajtur në Shqipëri. Nuk është hera e parë që e them, por dua ta përsëris dhe jam krenar për këtë gjë, që ne me përfundimin e këtyre tre stadiumeve do të jemi vendi më i mirë në rajon sa i përket infrastrukturës sportive të futbollit.

Të gjitha investimet e bëra në stadiume janë fryt i bashkëpunimit të shkëlqyer dhe i bashkimit të forcave, të financave, të energjisë, të vullnetit, të dëshirës dhe dashurisë për futbollin, i Federatës së Futbollit, qeverisë shqiptare dhe kryeministrit Edi Rama. Me këtë lloj bashkëpunimi jam shumë i sigurt që do bëjmë shumë gjëra të tjera, shumë më të mira për futbollin.

Siç e thanë dhe Ministrja dhe Kryetarja e Bashkisë së Durrësit, së fundmi është nënshkruar një marrëveshje mes Bashkisë së Durrësit dhe Manchester City Group, që dua të përshëndes dhe të falënderoj kryetaren, pasi besoj se do t’i shërbejë futbollit durrsak dhe futbollit kombëtar në përgjithësi, që do ta rrisë një nivel akoma edhe më të lartë. Ne plotësojmë me këto stadiume shumë mirë infrastrukturën sportive të futbollit të luajtur, kushtet për mediat e futbollistët etj., por kemi më shumë nevojë për terrene sportive (stërvitje).

Uroj që projektet që ne do zgjedhim sot mos t’i cenojnë fushat që ne sapo kemi investuar me kryetaren e bashkisë në Durrës dhe e ftoj kryetaren që të bëjmë edhe më shumë fusha të tjera, jo vetëm sepse do t’i shërbejnë fëmijëve në Durrës, por edhe turizmit në Durrës. Nëpërmjet fushave të futbollit mund të afrojmë shumë ekipe në Durrës dhe të plotësojmë ato ditët e dimrit që ne i kemi thuajse bosh.

Edhe një herë falënderoj Kryeministrin për iniciativën, falënderoj jurinë që kanë pranuar ftesën, falënderoj projektuesit që kanë pranuar të hyjnë në këtë garë dhe jam shumë i bindur dhe i sigurt që juria do të zgjedhë objektin më të mirë dhe më të përshtatshëm që do t’i shërbejë futbollit durrsak dhe atij shqiptar. Faleminderit!

EMISIONET