Durrës City si New York City apo Melbourne City, akademia bardhekaltër e Ballkanit prezantohet nga Rama
Kryeministri Edi Rama prezantoi tre projektet për stadiumin e ri të Durrësit por më shumë se për kompleksin e ri ai foli për projektin ambicioz të ndërtimit të një akademie sipas standarteve dhe markës Manchester City që nuk do të përfaqësojë vendin tonë por do të jetë qëndër e gjithë Ballkanit për këtë akademi.
"Kemi marrë ekskluzivitetin që të kemi këtu një qendër për të gjithë rajonin, për të gjitha vendet e Ballkanit edhe më gjerë. Do të jetë një destinacion për talente nga gjithë rajoni dhe nëse do të bëhet një akademi e dytë në Ballkan, ne do të jemi partnerë. Bashkia e Durrësit do të jetë partnere gjë që besoj është goxha domethënëse. Natyrisht kjo hap një perspektivë tjetër, por le ta marrim me radhë.

Hapi paralel është që ne duhet të ngremë grupin tonë këtu, Durrës City, siç janë të gjitha grupet që Manchester City ka në sistemin e vetë, që nga NewYork City, Melbourne City te Montevideo City e kështu me radhë dhe Durrës City do të jetë një bërthamë që sigurisht do të zhvillohet në të ardhmen si një skuadër më vete.

Ajo që është e rëndësishme të theksohet është që akademia dhe shkolla e futbollit i shërbejnë të gjitha klubeve në Shqipëri. Ky është një moment shumë interesant i këtij modeli. Akademia nuk është ekskluzive për talente dhe lojtarë të vegjël apo të rinj që duke u futur aty i përkasin detyrimisht Manchester City-t.

Akademia është në shërbim të të gjitha klubeve të cilat sigurisht bazuar në seleksionimin që bëhet nga përgjegjësit e akademisë, çojnë sportistët e tyre dhe pastaj sportistët e tyre të rinj kthehen në klube me, si të thuash edukimin dhe zhvillimin e talentit që kanë përfituar nga akademia. Natyrisht që pastaj nëse ka talente që iu përkasin klubeve të tjera dhe që Manchester City është i interesuar, ata zhvillojnë bisedime të drejtpërdrejta me ta".

