Juventus kërkon zëvendësuesin e Bremerit, dy janë objektivat

Juventusi ka nisur të studiojë alternativat për repartin defensiv, teksa e ardhmja e Gleison Bremer mbetet e pasigurt pas dështimit të bardhezinjve për të siguruar një vend në Ligën e Kampionëve. Mbrojtësi brazilian konsiderohet një nga kandidatët kryesorë për t’u larguar gjatë merkatos së verës, me klubin që synon të përfitojë financiarisht nga shitja e tij.
Sipas raportimeve të mediave italiane, drejtuesit e Juventusit kanë ngushtuar listën e objektivave në dy emra: Kim Min-jae dhe José Giménez.
Mbrojtësi koreano-jugor Kim Min-jae, aktualisht pjesë e Bayern Munich, shihet si alternativa më e preferuar. Futbollisti nuk konsiderohet më i paprekshëm në skuadrën bavareze dhe ka shprehur gatishmërinë për t’u transferuar në Torino. Një faktor i rëndësishëm në këtë pistë është dëshira e Kim për të punuar sërish me Luciano Spallettin, trajner me të cilin fitoi titullin kampion të Italisë gjatë aventurës së tij te Napoli.
Vlera reale e kartonit të 28-vjeçarit vlerësohet rreth 20 milionë euro, megjithatë Bayern Munich aktualisht kërkon afro 40 milionë euro. Juventusi beson se mund të ulë kërkesat e klubit gjerman gjatë javëve të ardhshme, duke shfrytëzuar vullnetin e lojtarit për t’u larguar.
Në rast se operacioni për Kim nuk konkretizohet, alternativa tjetër mbetet uruguaiani José Giménez. Mbrojtësi i Atletico Madrid është prej kohësh në radarët e Juventusit, i cili e ndjek profilin e tij që prej vitit 2017.
Giménez, i lindur në vitin 1995 dhe me kontratë me klubin madrilen deri në vitin 2028, vlerësohet rreth 15 milionë euro. Përvoja e tij e gjatë në nivelet më të larta të futbollit evropian, lidershipi dhe karakteri i fortë e bëjnë atë një opsion tërheqës për bardhezinjtë, veçanërisht për shkak të kostos më të ulët.
Sipas “Tuttosport”, emri i Giménez mund të përfshihet edhe në bisedimet mes Juventusit dhe Atletico Madridit për sulmuesin Alexander Sørloth, duke hapur rrugën për një marrëveshje më të gjerë mes dy klubeve.


