Shqipëria një hap larg ëndrrës së botërorit, Dide: Uroj që edhe Polonia mos të jetë në ditën e saj më të mirë
Kombëtarja shqiptare e futbollit ndodhet përballë një prej momenteve më të rëndësishme në historinë e saj, teksa përgatitet për ndeshjen e play-off-it që mund t'i hapë dyert drejt Kampionatit Botëror. Shpresat dhe emocionet janë të mëdha, ndërsa i gjithë vendi pret me ankth përballjen vendimtare.
Sipas gazetarit Andi Dide, ky moment përfaqëson kulmin e një ëndrre të gjatë.
“Të gjithë presim kualifikimin në botëror”, shprehet ai në një lidhje doirekte nga Varshava për “Ora News”, duke theksuar se ky është një kompeticion ku Shqipëria nuk ka marrë pjesë kurrë më parë.
Për breza të tërë shqiptarësh, kjo ka qenë një ëndërr, dhe asnjëherë më parë kombëtarja nuk i është afruar kaq shumë realizimit të saj, duke arritur për herë të parë në fazën e play-off-it.
Përballë do të jetë Polonia, një kundërshtar i vështirë, por jo i pamposhtur. Kujtimi i fitores së kuqezinjve në eliminatoret e fundit të Europianit shërben si një burim optimizmi, pavarësisht se ndeshja e kthimit në Tiranë pati një rezultat tjetër. Dëshira dhe shpresat për të arritur objektivin janë të mëdha, pavarësisht sfidës.
Për vetë lojtarët, kjo nuk është thjesht një ndeshje, por një "takim me historinë". Presioni është i lartë, por po aq i madh është edhe ndërgjegjësimi për rëndësinë historike të kësaj përballjeje.
Pritshmëritë janë që ekipi të japë maksimumin në fushë, i vetëdijshëm se sytë e një kombi të tërë janë drejtuar nga ata. Tani, mbetet vetëm të urohet që kuqezinjtë të bëjnë më të mirën dhe që fati të jetë në anën e tyre.
“Për sa i përket asaj çfarë presim, të gjithë presim kualifikimin në botëror, kjo është më se e qartë. Është një kompeticion që s’kemi qenë kurrë, është një ëndërr që e kemi pasur të gjithë që të vegjël, për breza të tërë shqiptarët kanë ëndërruar të jenë njëherë në Kampionatin Botëror.
Nuk kemi qenë kurrë kaq pranë. Është hera e parë që jemi në play-off. Kështu që shpresat edhe dëshirat janë të mëdha për t'ia arritur. Do të jetë sigurisht ndeshje e vështirë me me Poloninë. Por e kemi mposhtur një herë në eliminatoret e fundit që na çuan në Evropian, pavarësisht se e mposhtëm në atë ndeshjen në stadiumin kombëtar pra, në Tiranë.
Gjithsesi, është një përballje që duhet të japim maksimumin. Besoj se këtë gjë më mirë se të gjithë e dinë vetë lojtarët, pasi edhe për ta është një takim me historinë, do të jetë një takim me historinë sot kjo ndeshje me Poloninë. Kështu që urojmë që të bëjmë më të mirën. Urojmë që ndoshta edhe Polonia mos të jetë në ditën e saj më të mirë”, u shpreh Dide.


