Real Madrid bën gati 150 milionë euro, në skenë janë Olise dhe Julian Alvarez

Real Madrid mund të bëjë shumë shpejt një nga lëvizjet më të mëdha të merkatos verore. Sipas raportimeve të fundit, drejtuesit madrilenë po përgatisin një ofertë prej 150 milionë eurosh për një futbollist të nivelit të lartë që aktivizohet në Champions League.
Pas rizgjedhjes së Florentino Pérez në krye të klubit, emri që është lidhur më së shumti me këtë investim rekord ka qenë ai i Michael Olise. Megjithatë, në orët e fundit kanë marrë forcë edhe zërat që flasin për një interes konkret ndaj sulmuesit argjentinas Julián Álvarez.
Alvarez prej kohësh konsiderohet një lojtar i vlerësuar nga drejtuesit e Real Madridit dhe profili i tij përshtatet me projektin afatgjatë të klubit. Nga ana tjetër, Atlético Madrid nuk do të ishte plotësisht kundër një shitjeje nëse në tryezë do të mbërrinte një ofertë që arrin shifrën e 150 milionë eurove.
Pavarësisht spekulimeve të shumta, si Real Madridi ashtu edhe përfaqësuesit e lojtarit kanë zgjedhur të mos komentojnë raportimet që qarkullojnë në media.
Tashmë vëmendja është përqendruar te dita e nesërme, kur pritet të mësohet nëse klubi madrilen do të formalizojë ofertën e shumëpërfolur që mund të shndërrohet në një nga transferimet më të bujshme të viteve të fundit.
Për momentin, emrat e Michael Olise dhe Julian Alvarez mbeten kandidatët kryesorë për “goditjen” e madhe të Florentino Perezit në merkaton e verës.


