PSG synon Thuramin

Juventusi po vazhdon negociatat intensive me Paris Saint-Germain për rikthimin e sulmuesit francez, Randal Kolo Muani, ndërsa në tavolinë mund të përfshihet edhe mesfushori Khéphren Thuram.
Sipas raportimeve të fundit nga media italiane, PSG ka shfaqur interes për Thuramin dhe bardhezinjtë mund ta përdorin atë si pjesë të formulës që do të zhbllokonte transferimin e Kolo Muanit.
Kolo Muani mbetet objektivi kryesor i Juventusit për repartin ofensiv dhe drejtuesit e klubit po kërkojnë një marrëveshje me kampionët e Francës. PSG raportohet se kërkon rreth 30-35 milionë euro për kartonin e sulmuesit, ndërsa një shkëmbim i pjesshëm me Thuramin mund të ulë kostot e operacionit.
Megjithatë, Thuram nuk është në radarët vetëm të PSG-së, pasi interes për mesfushorin francez kanë shfaqur edhe disa klube të Premier League.
Pavarësisht kësaj, Juventusi është i gatshëm të shqyrtojë çdo opsion nëse kjo do t’i hapte rrugën ardhjes së Kolo Muanit në Torino.

