“Po sulmon njerëzit, jo argumentet”/ Ahmeti zbulon dobësinë që po dëmton imazhin e kryeministrit

I ftuar në emisionin “Ora e Betit”, Krenar Ahmeti komentoi mënyrën e komunikimit të kryeministrit me kundërshtarët dhe kritikët e tij, duke u ndalur te ajo që e cilësoi si një gabim të njohur të logjikës formale.

Sipas Ahmetit, në vend që të trajtohen argumentet dhe çështjet e ngritura në debat, shpesh vëmendja zhvendoset te personi që i artikulon ato.

“Njihen 10 gabime bazë të logjikës formale dhe një prej tyre është të sulmosh personin që është prononcuar për diçka. Nuk merresh me atë që ai ka thënë, por me integritetin e tij.”-tha ai.

Ahmeti u shpreh se kjo mënyrë komunikimi largon debatin nga thelbi i çështjeve dhe nuk i jep publikut përgjigjet që pret për temat e ngritura.

Ai ngriti gjithashtu pikëpyetje për rolin e këshilltarëve të komunikimit pranë kreut të qeverisë, duke vlerësuar se gabime të tilla nuk duhet të përsëriten në komunikimin publik të një zyrtari të nivelit të lartë.

“Ky është rasti më tipik gjatë komunikimit. Nuk arrij ta perceptoj se ku i ka këshilltarët e komunikimit që të mos bëjë këtë gabim. Në vend që të merret me pikat e ngritura në deklaratë, merret drejtpërdrejt me personin.”-shtoi Ahmeti.

Sipas Ahmetit, fokusi te individi dhe jo te argumenti rrezikon të zbehë debatin publik dhe të largojë vëmendjen nga problematikat që kërkojnë përgjigje konkrete.

EMISIONET