Prokopi paralajmëron: Rruga e vështirë për Mesin sapo ka nisur
Në emisionin “Ora e Botërorit” në Ora News ishte i ftuar Mantho Prokopi, i cili komentoi ecurinë e Argjentinës dhe paraqitjet e Lionel Mesit në ndeshjet e para të fazës së grupeve.
Argjentina ka marrë fitore në dy ndeshjet e para dhe Messi ka qenë mes lojtarëve më në formë, duke tërhequr sërish vëmendjen e opinionit sportiv. Megjithatë, në studio u ngritën dyshime nëse këto rezultate tregojnë realisht forcën e skuadrës.
Sipas diskutimit, kundërshtarët e deritanishëm nuk kanë qenë test i vërtetë për nivelin e Argjentinës, ndërsa sfidat më të vështira pritet të vijnë në fazat me eliminim direkt.
“Argjentina ka marrë dy fitore, Messi po duket mirë në këto ndeshje të para, por për mua nuk janë teste reale për skuadrën. Edhe Australia i ka hapur probleme në lojë. Kur të vijë momenti i ndeshjeve me skuadra më të forta, atëherë shihet realisht ku është ekipi.”-tha Prokopi.
Në debat u theksua se vetëm përballjet me kundërshtarë më të fortë dhe me peshë mund të tregojnë nëse Argjentina është vërtet pretendente serioze apo nëse forma e deritanishme është e pamjaftueshme për objektivat e mëdha.

