Ku është Begaj? Alimehmeti: Presidenti ka humbur lidhjet me popullin shqiptar

Anëtari i Këshillit Kombëtar të PD-së, Ilir Alimehmeti, ka komentuar protestat që po zhvillohen prej ditësh në Tiranë, kundër investimit në Zvërnec.
Alimehmeti në Report Tv tha gjatë fjalës së tij se ajo që i bashkon të gjithë protestuesit në një emërues të përbashkët, është dorëheqja e kryeministrit Edi Rama.
“Një protestë rinore e frymëzuese. Ka krijuar një klimë pozitiviteti të lartë dhe kjo është arsyeja pse është aq shumë mbështetëse. Ka një emërues të përbashkët që i bashkon të gjithë, që është dorëheqja e Edi Ramës. Pastaj forca të ndryshme mund edhe të kenë kërkesa sekondare që janë të ndryshme nga njëra-tjetra. Situata me Zvërnecin ishte pika që derdhi gotën. Qeveria etiketohet shpesh nga të gjithë protestuesit si një e keqe e madhe që ka shkretuar këtë vend. Ajo fshehja pas faktit se kemi votat, mandatet, etj, në çdo vend të botës, kushdo që fiton zgjedhjet merr mandat për të qeverisur, jo për të abuzuar”, deklaroi Alimehmeti.
Më tej Alimehmeti ka deklaruar se protestat kanë treguar që shqiptarët janë një popull që reagon ndaj padrejtësive.
“Një gjë ka arritur shumë mirë kjo protestë, ka bërë arritjen e saj për atë që u ngrit, për zonat e mbrojtura dhe për investimet strategjike, sepse reagoi BE. E dyta ka treguar shumë qartë që ky është një popull që reagon”, vijoi Alimehmeti.
Lidhur me mos-reagimin e Presidentit Bajram Begaj në këtë situatë, Alimehmeti tha se Kreu i Shtetit po përpiqet të forcojë lidhjet me Kirigistanin, ndërkohë që ka humbur lidhjet me popullin shqiptar.
“Ne nuk kemi një sistem këtu në Shqipëri. Kjo është arsyeja pse ikin njerëzit. Në këtë aspekt çdo gjë është e qartë. Gjërat do ndodhin. Thjesht do presim edhe njëfarë kohe, sepse ka etapa. Këto gjëra i thoshim edhe për çështjen Balluku, e cila do ketë zhvillime tani afër. Njerëzit e kanë pushuar nga puna Edi Ramën. Ne s’dimë ku është Presidenti i Republikës. Ku është Presidenti i Republikës? Po forcon lidhjet me Kirigistanin. Ndërkohë që ka humbur lidhjet me popullin shqiptar. Në momentin që ti ke një situatë historike në vendin tënd, ku është Presidenti?”, tha mes të tjerash Alimehmeti.


