Perez paralajmëron “goditjen e shekullit”: Real Madridi gati të paguajë mbi 150 milionë euro!

Presidenti i Real Madrid, Florentino Perez, ka ndezur merkaton e verës me deklaratat e tij të fundit, duke lënë të kuptohet se klubi madrilen po përgatit një transferim rekord.
Në një intervistë për Horizonte, Perez foli për planet e tij në rast se rizgjidhet në krye të klubit, duke konfirmuar se Reali ka në radar disa përforcime të rëndësishme.
“Për momentin mund t’ju flas për tre afrime: Mourinho, Konaté dhe Dumfries. Por do të ketë edhe të tjerë. Të martën do të bëj një ofertë të rëndësishme për një klub të madh që luan në Champions League. Do të ishte shuma më e lartë e paguar ndonjëherë nga Real Madridi për një transferim, të paktën 150 milionë euro”, deklaroi Perez.
Numri një i “Los Blancos” dha edhe disa pista për identitetin e futbollistit misterioz: “Bëhet fjalë për një lojtar që luan mes mesfushës dhe sulmit. Është një futbollist i nivelit të Cristiano Ronaldos. Nuk luan në Premier League. Nuk po flas për Haalandin, Dokun apo Olisen”.
Pas këtyre deklaratave, mediat spanjolle kanë nisur menjëherë spekulimet. Sipas Mundo Deportivo, kandidatët më të mundshëm janë Jamal Musiala, Vitinha, João Neves, Desire Doue dhe Julian Alvarez, ky i fundit i kërkuar gjithashtu edhe nga Barcelona.
Tashmë mbetet për t’u parë nëse Perez do ta konkretizojë premtimin e tij me një transferim që mund të hyjë në historinë e Real Madridit.


