“Një djalë i edukuar dhe me ëndrra të mëdha”/ Federata e Kosovës reagon pas vd*kjes tragjike të Fatjon Bunjakut: Humbëm një talent të madh

Federata e Futbollit e Kosovës ka reaguar pas lajmit tragjik për ndarjen e parakohshme nga jeta të ish-futbollistit të Kosovës U21, Fatjon Bunjaku.
Përmes një mesazhi ngushëllimi drejtuar familjes Bunjaku, presidenti i FFK-së, Agim Ademi, shprehu dhimbjen e madhe që ka shkaktuar humbja e 22-vjeçarit, duke e cilësuar atë si një nga talentet e spikatura të futbollit kosovar.
“Fatjoni ishte shumë më tepër se një futbollist i talentuar. Ai ishte një djalë i edukuar, i përkushtuar dhe me ëndrra të mëdha, i cili me punën, karakterin dhe dashurinë për futbollin arriti të fitojë respektin e të gjithë atyre që patën fatin ta njohin”, thuhet në mesazhin e Ademit.
Kreu i FFK-së vlerësoi kontributin e Bunjakut në klubet ku aktivizohej, si dhe paraqitjet e tij me fanellën e Kosovës U21, duke theksuar se ai përfaqësoi me krenari ngjyrat e vendit dhe mbeti shembull i një sportisti të përkushtuar.
“Futbolli kosovar humbi një talent të madh, ndërsa familja, miqtë dhe bashkëlojtarët humbën një njeri të dashur, që la gjurmë të pashlyeshme në zemrat e tyre”, vijon reagimi.
Në fund të mesazhit, Federata e Futbollit e Kosovës i shprehu ngushëllimet më të sinqerta familjes Bunjaku, duke ndarë dhimbjen me të afërmit e futbollistit në këto momente të vështira.

