Rrezikohen rezervat “Patriot”, Trump lë mënjanë përshkallëzimin kundër Iranit

Rrezikohen rezervat “Patriot”, Trump lë mënjanë

Donald Trump ka shtyrë përkohësisht planet për një "përshkallëzim të konsiderueshëm" të ofensivës ushtarake kundër Iranit, nga frika se rezervat e Pentagonit, tashmë të varfëruara të raketave interceptore “Patriot” dhe municioneve të mbrojtjes ajrore në Lindjen e Mesme, mund të shterojnë.

Pika e kthesës, raporton New York Times, erdhi gjatë takimit të presidentit të premten me këshilltarët kryesorë dhe anëtarët e administratës, sipas dy personave të njohur me çështjen. Gjenerali Dan Caine, kryetar i Shtabit të Përbashkët të Ushtrisë, paralajmëroi privatisht se, ndërsa është e mundur, luftimet do të shterojnë "rrezikshëm" raketat interceptore në dispozicion të CENTCOM.

Kërcënimi ndaj rezervave të raketave interceptuese është një nga shumë konsideratat që e bëjnë një rikthim në operacione luftarake në shkallë të gjerë një sipërmarrje shumë të rrezikshme. Trump dhe ndihmësit e tij më të ngushtë, shton NYT, ushqejnë frikë për perspektivën e një konflikti në zgjerim në Lindjen e Mesme, goditjen e mundshëm të aleatëve kryesorë të Gjirit (të prekshëm ndaj sulmeve iraniane), një krize ekonomike globale dhe krizave gjithnjë e më të rënda të energjisë dhe flukseve të refugjatëve.

Megjithatë, diskutimet e klasifikuara janë përqendruar në zvogëlimin e rezervave të Pentagonit të sistemeve Patriot dhe sistemeve të tjera të mbrojtjes ajrore, sipas disa zyrtarëve.

Steven Cheung, drejtor i komunikimit në Shtëpinë e Bardhë, vuri në dukje se presidenti "ka qenë gjithmonë i qëndrueshëm në thënien se favorizon një zgjidhje diplomatike, duke mbajtur të gjitha opsionet hapur nëse Irani vazhdon aktivitetet terroriste në Ngushticën e Hormuzit ose kundër aleatëve".

Cheung shtoi gjithashtu se, pasi u përball me sanksione shkatërruese dhe sulme të përsëritura, "Irani do të ishte i mençur të punonte drejt një zgjidhjeje të negociuar; përndryshe, ata e dinë se çfarë do të ndodhë".

Trump po shqyrton se si të veprojë kundër Iranit, veçanërisht rihapjen e Ngushticës së Hormuzit, ndërsa çmimet e benzinës po rriten pas rifillimit të armiqësive në dy javët e fundit. Diplomacia ka ngecur dhe vala e fundit e sulmeve masive amerikane duket se nuk ka pasur asnjë efekt pengues ndaj Iranit ushtarakisht. Pak, nëse ka, në rrethin e ngushtë të Trumpit besojnë se përshkallëzimi është i mençur. 

EMISIONET