Trajneri i ri i kombëtares Gjermane: Do të largohem nëse nuk e lini familjen time të qetë

Trajneri i ri i kombëtares Gjermane: Do të largohem nëse nuk e

Jürgen Klopp është zyrtarisht trajneri i ri i kombëtares së Gjermanisë dhe rikthehet në drejtimin e një skuadre pas largimit nga Liverpool në vitin 2024. Tekniku 59-vjeçar ka marrë përsipër misionin për të ringritur skuadrën gjermane pas një tjetër zhgënjimi në një turne madhor.

Gjermania u eliminua nga Botërori pas humbjes ndaj Paraguait në fazën e 1/16-ve, një rezultat që solli shumë kritika ndaj ekipit dhe trajnerit të mëparshëm, Julian Nagelsmann. Pas eliminimit, në Gjermani nisi një debat i gjerë për paraqitjen e skuadrës, ku vëmendja u përqendrua edhe te prania e familjarëve dhe partnereve të lojtarëve gjatë grumbullimit.

Në konferencën e parë si trajner i Gjermanisë, Klopp vendosi të caktojë kufijtë e tij dhe paralajmëroi se do të largohet nëse familja e tij bëhet objekt i sulmeve apo ndërhyrjeve mediatike.

“Ditën që nuk më doni më, ma thoni dhe unë largohem menjëherë, pa asnjë dëmshpërblim. Nëse silleni keq dhe nuk e lini familjen time të qetë, unë largohem”, deklaroi Klopp për gazetën gjermane Bild.

Trajneri gjerman theksoi gjithashtu se kritikat ndaj punës së tij janë të pranueshme, por ato duhet të lidhen vetëm me aspektin profesional. “Mund të më kritikoni nëse diçka nuk funksionon. Jam i gatshëm të punoj për ta përmirësuar. Gjithçka ka të bëjë me futbollin”, tha ai.

Debati për familjarët e stafit teknik u ndez gjatë drejtimit të Nagelsmann, pasi partnerja e tij, Lena Wurzenberger, ish-reportere e gazetës Bild, u pa shpesh pranë kampit të Gjermanisë. Kjo shkaktoi reagime nga disa figura të futbollit gjerman, përfshirë legjendën Lothar Matthäus, i cili tha se prania e saj e vazhdueshme nuk ishte ideale.

Klopp, i cili është i martuar me Ulla Sandrock që prej vitit 2005, e cilësoi emërimin në krye të Gjermanisë si “kulmin e karrierës” së tij. Në projektin e ri do të bashkëpunojë edhe me ish-mbrojtësin e kombëtares, Per Mertesacker, i emëruar drejtor sportiv i federatës gjermane. 

EMISIONET