Nagelsmann: Më dhemb zemra që ju zhgënjeva, kombëtarja meriton një fillim të ri

Nagelsmann: Më dhemb zemra që ju zhgënjeva, kombëtarja

Julian Nagelsmann i ka dhënë fund zyrtarisht aventurës së tij në krye të Kombëtares së Gjermanisë, pas eliminimit zhgënjyes në fazën e 1/16-ave të Kupës së Botës 2026 ndaj Paraguajit me penallti. Pas gati dy vitesh në detyrë, 38-vjeçari është larguar nga posti i përzgjedhësit, duke hapur rrugën për emërimin e një trajneri të ri, me Jürgen Klopp që vazhdon të përmendet si kandidati kryesor.

Në deklaratën e lamtumirës për Federatën Gjermane të Futbollit (DFB), Nagelsmann pranoi se vendimi nuk ishte aspak i lehtë.

“Gjatë ditëve pas eliminimit kam reflektuar shumë dhe kam biseduar me njerëzit më të afërt, si në jetën personale ashtu edhe brenda federatës. Ky ka qenë një vendim jashtëzakonisht i vështirë për mua”, u shpreh ai.

Ish-trajneri i Gjermanisë theksoi se interesi i kombëtares ishte arsyeja kryesore që e shtyu të largohej.

“Objektivi im ka qenë gjithmonë suksesi i skuadrës. Pas një zhgënjimi kaq të madh, grupi meriton mundësinë për një fillim të ri, pa barrën e së kaluarës”, deklaroi Nagelsmann.

Ai falënderoi stafin teknik, drejtuesit e federatës dhe mbi të gjitha futbollistët, me të cilët tha se kishte ndërtuar një marrëdhënie besimi. Një mesazh të veçantë ia kushtoi tifozëve gjermanë.

“Ju na keni mbështetur dhe na keni dhënë besim edhe në momentet më të vështira. Më vjen shumë keq dhe më dhemb zemra që ju zhgënjeva dhe nuk arrita t’ju dhuroja net të tjera të bukura futbolli në këtë Botëror. Ju meritonit shumë më tepër”, theksoi ai.

Pas largimit të Nagelsmann, reagoi edhe drejtori sportiv i kombëtares gjermane, Rudi Völler, i cili vlerësoi vendimin e trajnerit.

“Pas një eliminimi që zhgënjeu të gjithë, vendimi i Julianit meriton respekt. Ai mori përgjegjësinë dhe vendosi interesin e kombëtares mbi interesin personal. Natyrisht, të gjithë do të kishim dashur një rezultat tjetër në këtë Botëror, por Julian mbetet një trajner i shkëlqyer dhe jam i bindur se do të vazhdojë të ketë sukses në karrierën e tij. I jam mirënjohës për bashkëpunimin e sinqertë dhe profesional”, deklaroi Völler.

EMISIONET