LEGJIONARËT/ Paraqitje pozitive e kuqezinjve, protagonistë me gola vendimtarë

LEGJIONARËT/ Paraqitje pozitive e kuqezinjve, protagonistë me gola

Futbollistët kuqezinj që aktivizohen në arenën ndërkombëtare vazhdojnë paraqitjet pozitive, duke dhënë kontribut të rëndësishëm me skuadrat e tyre respektive.

Paraqitje shumë të mirë zhvilloi Cristian Shpendi, i cili ishte protagonist absolut me Cesena-n. Sulmuesi kuqezi shënoi dy gola në fitoren në transfertë ndaj Reggiana-s, duke i dhënë skuadrës së tij suksesin 2-1.

Shpendi realizoi nga një gol në secilën pjesë, fillimisht në minutën e 30-të dhe më pas në minutën e 63-të, duke përmbysur rezultatin, pasi vendasit kishin kaluar në avantazh në minutën e 27-të.

Edhe Ernest Muçi po konfirmon formën e shkëlqyer me Trabzonspor. Futbollisti kuqezi realizoi një tjetër gol vendimtar në kampionat, duke i dhënë fitoren skuadrës së tij në transfertë ndaj Kocaelispor. Muçi shënoi golin e dytë në minutën e 90+1, ndërsa Trabzonspor triumfoi me rezultatin 2-1. Ky ishte goli i tetë i Muçit në kampionat.

Në mesjavë, ai shkëlqeu edhe në Kupën e Turqisë, ku shënoi dy gola dhe dha një asist në përballjen ndaj Istanbulspor.

Kontribut me skuadrat e tyre dhanë gjithashtu edhe legjionarë të tjerë të Kombëtares, si Thomas Strakosha, Ardian Ismajli, Marash Kumbulla, Ylber Ramadani dhe Armando Broja.

Këto paraqitje pozitive në vazhdimësi të legjionarëve kuqezinj janë shpresëdhënëse për përballjen e Kombëtares në play-offin e muajit mars ndaj Polonisë, për të shpresuar drejt kualifikimit në Botërorin 2026.

EMISIONET