Ish-kapiteni Mateus paralajmëron Gjermaninë: Mbrojtja duhet rishikuar para Kupës së Botës 2026

Fitorja e ngushtë 2-1 e Gjermanisë ndaj Bregut të Fildishtë ka nxjerrë në pah disa problematika në skuadër, sidomos në repartin defensiv.
Ish-kapiteni i “Pancerave”, Lotar Mateus, ka kërkuar rishikim të mbrojtjes përpara Kupës së Botës 2026, duke vënë theksin te pozicioni dhe performanca e Joshua Kimmich.
Sipas Mateus, mbrojtja gjermane duhet të rregullohet për të përballuar kundërshtarë më të shpejtë dhe më agresivë në fazat vendimtare të turneut. Ai vuri në dukje se Kimmich nuk mund të përmirësojë shpejtësinë e tij, ndërsa rivalët që priten në vazhdim do të jenë edhe më të shpejtë dhe më kërkues.
Trajneri Julian Nagelsmann e ka vendosur Kimmich në krahun e djathtë të mbrojtjes, ndryshe nga roli i tij i zakonshëm në mesfushë ku ka qenë në formë të lartë. Kjo zgjedhje, sipas analizave të Mateus, i ka sjellë vështirësi në duelet një kundër një, sidomos ndaj lojtarëve të shpejtë si Jan Diomande.
Në rast të një përballjeje të mundshme me Francën në 1/16-at, një skenar që shihet si i mundshëm, Kimmich mund të përballej me Kilian Mbappe, një test i vështirë për repartin defensiv gjerman. Për këtë arsye, është propozuar një riorganizim i mbrojtjes, ku Nathaniel Brown kalon në krahun e djathtë, David Raum në të majtë dhe Kimmich rikthehet në mesfushë.
Një skemë e tillë do të linte jashtë formacionit titullar mesfushorin Aleksandar Pavloviç. Ndërkohë, figura të njohura të futbollit gjerman si Thomas Müller, Mats Hummels dhe Paul Breitner kanë kritikuar paraqitjen mbrojtëse të Kimmich, duke rritur debatin rreth rolit të tij.
Megjithatë, Mateus vlerëson se Gjermania ka ende potencial të lartë në këtë turne, duke përmendur edhe paraqitjet e Felix Nmecha dhe Deniz Undav, të cilët po shihen si elementë të rëndësishëm për vazhdimësinë e ekipit.


