Laburistët hapin garën për liderin e ri/ Andy Burnham favorit për drejtimin e partisë

Partia Laburiste në Britani ka nisur procesin për zgjedhjen e liderit të ri, pas miratimit të kalendarit nga Komiteti Ekzekutiv Kombëtar. Procesi hap rrugën që drejtimi i partisë të kalojë te Andy Burnham, i cili konsiderohet kandidati kryesor.
Sipas rregullave të përcaktuara, procesi i nominimeve pritet të hapet brenda dy javëve të ardhshme. Një kandidat që siguron mbështetjen e të paktën 20% të deputetëve laburistë në Parlament, ose 81 nënshkrime, mund të shpallet automatikisht lider brenda tre javësh.
Andy Burnham shihet si favoriti kryesor për të marrë drejtimin e partisë. Përveç mbështetjes së deputetëve, ai duhet të sigurojë edhe përkrahjen e të paktën tre organizatave të lidhura me Laburistët, ku dy prej tyre duhet të jenë sindikata, ose alternativisht mbështetjen e 5% të degëve lokale.
Sipas vlerësimeve politike në Britani, Burnham pritet të arrijë pa vështirësi mbështetjen e nevojshme, sidomos nga sindikatat, çka mund ta përshpejtojë procesin dhe ta çojë drejt shpalljes si lider më 17 korrik.
Burime pranë partisë bëjnë të ditur se aktualisht nuk ka kandidatë të tjerë me peshë në garë. Nëse situata mbetet e njëjtë, procesi i votimit të anëtarësisë në gusht mund të shmanget dhe Burnham mund të marrë drejtimin e Laburistëve pa balotazh.


