Ish- futbollisti Josa: "La Roja” triumfoi falë një skuadre të konsoliduar dhe futbollit spektakolar
Spanja shkroi historinë në Botërorin 2026, duke triumfuar në finalen përballë Argjentinës dhe duke i dhënë fund një epoke të madhe të futbollit botëror, atë të Lionel Messit me fanellën e kombëtares. Për ish-futbollistin Mirel Josa, suksesi i spanjollëve ishte rezultat i një pune të gjatë dhe një skuadre të ndërtuar me shumë ekuilibër.
I ftuar në emisionin “Drejt" në Ora News”, Mirel Josa vlerësoi paraqitjen e Spanjës gjatë gjithë turneut, duke theksuar se skuadra e Luis de la Fuente erdhi duke u përmirësuar ndeshje pas ndeshjeje.
Sipas Josës, Spanja nuk ishte thjesht një ekip që fitoi finalen, por një skuadër që kishte krijuar stabilitet shumë më herët, falë vazhdimësisë në formacion dhe mënyrës së lojës.
“Ishte kënaqësi të shihje atë Spanjë duke luajtur futboll. Spanja, përveç ndeshjes së parë ku çedoi, erdhi duke ngritur nivelin e lojës dhe detajeve”, u shpreh Josa.
Ish-futbollisti theksoi gjithashtu organizimin e lartë të repartit mbrojtës, duke kujtuar se Spanja gjatë turneut pësoi shumë pak gola dhe tregoi një ekuilibër të rrallë mes mbrojtjes dhe sulmit.
Për Josën, suksesi i Spanjës lidhet edhe me faktin se skuadra nuk pati shumë ndryshime në përbërje, duke ndërtuar një grup të konsoliduar që kishte eksperiencë nga ndeshjet kualifikuese dhe ato përgatitore.
Triumfi ndaj Argjentinës shënoi edhe një moment simbolik, pasi mbylli një kapitull të jashtëzakonshëm të Lionel Messit në skenën ndërkombëtare, pas vitesh dominimi dhe arritjesh historike me fanellën albiceleste.
Botërori 2026 solli një kampion të ri të epokës moderne të futbollit. Spanja, me një brez të talentuar dhe një filozofi të qartë loje, konfirmoi se është një nga fuqitë kryesore të futbollit botëror, ndërsa epoka e Messit me Argjentinën tashmë mbetet një kapitull i artë i historisë së këtij sporti.
Mirel Josa: Po, mund ta themi plotësisht. Nuk mund të them i gëzuar, por jam shumë i kënaqur sepse ishte kënaqësi të shihje atë Spanjë duke luajtur futboll. Pavarësisht, unë nuk mund të flas si tifoz, sepse tifozëria jonë ka përfunduar nga momenti që Italia nuk ishte pjesëmarrëse. Unë doja që të fitonte një ekip evropian kampionatin botëror. Edhe gjë që, pra, mund të isha mes Anglisë dhe Spanjës.
Por Spanja, përveç ndeshjes së parë në të cilën çedoi, erdhi duke ngritur nivelin e lojës dhe detajeve mund t'i futemi më vonë. Ne mund të themi që Spanja e kishte konsolidimin e skuadrës dhe më përpara se të hynte në finalet e Kampionatit Botëror. Spanja ka treguar dhe më përpara që nuk ka pasur shumë lëvizje në formacionin e saj, duke pasur parasysh qoftë kualifikueset, qoftë ndeshjet përgatitore që ka bërë, ka qenë skuadër shumë konstante.
Gjatë periudhës së kampionatit pati një mbrojtje shumë solide, pësoi vetëm një gol apo jo? Pati një mbrojtje shumë solide dhe erdhi duke rregulluar.

