Temperaturat ekstreme sfidojnë Botërorin, Belgjika merr masa të veçanta

Temperaturat e larta pritet të jenë një nga sfidat më të mëdha për ekipet pjesëmarrëse në Botërorin 2026, i cili do të organizohet në Shtetet e Bashkuara, Meksikë dhe Kanada. Kushtet klimatike kanë nisur të konsiderohen një faktor me ndikim të drejtpërdrejtë në performancën e futbollistëve, duke detyruar kombëtaret të marrin masa të veçanta për t’u përshtatur me nxehtësinë.
Një nga skuadrat që ka vendosur të ndryshojë programin e përgatitjeve është Belgjika. Stafi teknik dhe mjekësor i përfaqësueses belge ka përfshirë në rutinën e lojtarëve dushe me ujë të ngrohtë dhe seanca në sauna pas stërvitjeve. Synimi i kësaj metode është të ndihmojë futbollistët të mësohen gradualisht me temperaturat e larta që pritet të hasin gjatë ndeshjeve të turneut.
Belgjika do ta nisë aventurën e saj në Botëror më 15 qershor me përballjen ndaj Egjiptit. Takimi do të zhvillohet në stadiumin “Lumen Field” në Seattle, një impiant i hapur që nuk ofron mbulim ndaj rrezeve të diellit. Për këtë arsye, ekspozimi ndaj vapës mund të jetë një element shtesë që do të ndikojë në ritmin dhe intensitetin e lojës.
Mesfushori Axel Witsel ka pranuar se temperaturat e larta përbëjnë një sfidë reale për skuadrën. Ai theksoi se jo të gjithë lojtarët janë mësuar me kushte të tilla klimatike, por nënvizoi se ekipi po punon vazhdimisht për t’u përshtatur sa më mirë.
Edhe kombëtare të tjera po zbatojnë strategji të ngjashme. Norvegjia, e cilësuar si një nga ekipet që mund të surprizojë në këtë Botëror, po monitoron me kujdes gjendjen fizike të futbollistëve. Stafi mjekësor kryen kontrolle të rregullta për nivelin e hidratimit, me qëllim shmangien e problemeve që mund të shkaktohen nga nxehtësia.
Specialistët e sportit vlerësojnë se menaxhimi i temperaturave të larta, rikuperimi fizik dhe hidratimi do të jenë po aq të rëndësishëm sa aspektet taktike dhe teknike në garën për sukses në Botërorin 2026.


