Gjermania arrin marrëveshjen për Kloppin / Detajet e pazakonta që i hapën rrugën trajnerit drejt kombëtares

Federata Gjermane e Futbollit (DFB) është dashur të arrijë një marrëveshje të pazakontë me Red Bullin për ta liruar Jurgen Kloppin nga angazhimet e tij dhe për ta emëruar atë në krye të kombëtares së Gjermanisë.
Detajet e marrëveshjes u zbuluan gjatë prezantimit zyrtar të Kloppit, ku presidenti i DFB-së, Bernd Neuendorf, konfirmoi se federata do të dhurojë 1 milion euro për fondacionin “Wings for Life”, i cili mbështetet nga Red Bull.
Sipas Neuendorfit, ky donacion ishte pjesë e marrëveshjes për lirimin e Kloppit dhe një mënyrë falënderimi ndaj Red Bullit për procesin e lehtësuar të largimit të tij.
“Federata Gjermane e Futbollit ka bërë këto marrëveshje të veçanta në shenjë mirënjohjeje për faktin se lirimi u trajtua në një mënyrë kaq të pakomplikuar dhe joburokratike”, deklaroi Neuendorf.
Por marrëveshja mes palëve nuk përfundoi vetëm me donacionin. DFB-ja është zotuar gjithashtu që gjatë kohëzgjatjes së kontratës së Kloppit të zhvillojë tri ndeshje të kombëtares së Gjermanisë në “Red Bull Arena” të Leipzigut.
Kjo marrëveshje i sjell përfitime të drejtpërdrejta edhe stadiumit në pronësi të Red Bullit dhe tifozëve lokalë, ndërsa i hap rrugën Kloppit drejt një kapitulli të ri në karrierën e tij.
Emërimi i trajnerit gjerman në krye të kombëtares është konsideruar si një lëvizje e madhe strategjike nga DFB-ja, e cila synon rikthimin e Gjermanisë në elitën e futbollit botëror.
Për marrëveshjen ka folur edhe Hans-Joachim Watzke, nënkryetar i parë i DFB-së dhe një prej bashkëpunëtorëve më të afërt të Kloppit që nga periudha e tyre te Borussia Dortmund.



